Në Shqipëri mendohet se jetojnë rreth 20,000 shtetas italianë, pjesa më e madhe punojnë, por ka edhe nga ata që ndjekin studimet. Punojnë kryesisht në restorante, call center ose kanë krijuar sipërmarrje të vogla.

Një fenomen për të cilin po flitet gjithnjë e më shumë dhe që ka të bëjë jo vetëm me globalizimin, por edhe me mënyrën sesi ka ndryshuar vendi ynë nën efektin e një emigracioni në shkallë të lartë. Edhe prezenca e sipërmarrjeve italiane nuk është e vogël, çka ka bërë që të rritet prezenca e profesionistëve që punojnë në to, veçanërisht për ato pozicione që nuk kanë njerëz të aftësuar.

Italianët që vijnë të punojnë në Shqipëri janë kryesisht meshkuj, i përkasin grupmoshës 25-50 veç dhe vijnë nga Veriu. Profesionet më dominante janë avokatë, arkitektë, mjekë, dizajner, ekspertë finance etj.

Ivano Silvi, lashë Italinë për…

Ivano Silvi është njëri prej tyre. Ai jeton në Tiranë që prej dy vjetësh. I pëlqen të theksojë se ka “zbarkuar” në vendin e shqiponjave më 8 qershor 2014. Aktualisht punon për kompaninë “Parr Credit”, si supervizor, ndërsa ka përfunduar studimet në universitetin “La Sapienza”.

“Vendosa të vij në Shqipëri në përgjigje të një lajmërimi pune që gjeta në internet.

E njihja kompaninë që propozonte vendin e punës dhe vlerësova se mund të ishte një rast i mirë për karrierën profesionale, por edhe një mundësi, një vend dhe një popull tjetër”, thotë z. Silvi.

Por, ka edhe disa arsye të tjera që e shtynë për të ardhur e për të punuar në Shqipëri.

“Në Tiranë jetohet mirë. Kostoja e jetës është më e ulët në krahasim me Italinë. Megjithatë gjatë këtyre dy viteve kam vënë re se ka një rritje të përgjithshme të çmimeve. Shqiptarët janë një popull shumë vital, i ri dhe me të ardhme përpara”.

Por, përtej kësaj, dallimet kryesore (si për çdo gjë) ndahen në pozitive dhe negative.

Si aspekte pozitive mund të veçoja se keni një sistem ekonomik jo shumë burokratik, një taksim të favorshëm, por edhe mundësinë për të zgjedhur fatin tuaj. Ndërsa ndotja e mjedisit, ujit e tokës janë padyshim, aspekte negative. Ka ende shumë punë për t’u bërë, edhe pse mendoj se qeveria aktuale po vepron në drejtimin e duhur. Transporti i brendshëm gjithashtu ka nevojë të përmirësohet. Ndihet mungesa e një aeroporti në jug të vendit dhe një sistem efikas hekurudhor”, thotë z. Silvi.

Klimën në kompani e vlerëson të mirë e po kështu edhe marrëdhëniet me kolegët.

“Me ata ndajmë si momentet gjatë punës, ashtu edhe kohën e lirë. Pjesa më e madhe janë italianë. Megjithatë kam krijuar marrëdhënie miqësore edhe me shqiptarë, të cilët për fat të mirë flasin një italishte perfekte. Aftësia që ju keni për të mësuar gjuhët e huaja është një tipar që do t’jua kenë gjithmonë zili”, thotë ai.

Në lidhje me marrëdhëniet që ruan me bashkatdhetarët e tij, z.Silvi, thotë se me kohën ka njohur shumë italianë që punojnë në Shqipëri. Numri i italianëve që po ndjekin këtë rrugë sa vjen e bëhet më i madh dhe pjesa më e madhe janë punëtorë, studentë dhe persona që i përkasin sektorit të restorantit. “Janë këto të fundit vendet ku ‘strehohemi’ në mbrëmje ose gjatë fundjavave, për të thithur pak ajër shtëpie e për të konsumuar ushqim italian, së bashku me bashkatdhetarë të tjerë’. Për ne italianët, ushqimi është diçka e shenjtë, ku strehohemi kur kemi nostalgji për vendin tonë dhe pastaj linjat i merr ‘lumi’”.

Gjithçka përmbyset kur vendos të jetosh në një vend tjetër. Situatat personale ndryshojnë, largësia me familjen shpesh krijon probleme. “Edhe në nivel burokratik ka shpesh probleme. Largësia është një çështje më vete kur të duhet të zgjidhësh çështje që kanë të bëjnë me Italinë.

Por, gjëja e mirë në Tiranë është se nuk duhet të udhëtosh shumë orë për të shkuar në shtëpi për t’u kthyer në punë. Tirana, për sa u përket distancave, është një qytet që i shkon për shtat gjithkujt. Mund të qarkullosh fare mirë edhe në këmbë”, thotë z. Silvi.

Ka një gjë që ai ia ndien fort mungesën. E kjo është kinemaja. Nuk janë të shpeshtë filmat që transmetohen në gjuhën e tij, italisht.

Ufuk Uyanik, kur ndihesh si në shtëpi

Të gjithë e njohin marrëdhënien e ngushtë, që daton me shekuj mes Shqipërisë dhe Turqisë. Ndaj kur vjen puna te njerëzit e thjeshtë, përtej lidhjes politike e ekonomike mund të thuhet se turqit nuk ndihen si të huaj kur vijnë në Shqipëri dhe shqiptarët nuk ndihen si të tillë kur shkojnë në Turqi.

Ufuk Uyanik e lidhin disa gjëra me Shqipërinë. Ai pothuajse është “shqiptarizuar”, pasi edhe bashkëshorten e ka zgjedhur prej këtej. Ka nëntë vjet që punon dhe jeton në vendin tonë. Në kompaninë Albtelecom & Eagle Mobile ai punon si ekspert, në Departamentin e Burimeve Njerëzore (Njësia e zhvillimit njerëzor). Jeton në Tiranë, por gjatë qëndrimit të tij ka vizituar edhe qytete të tjera, qoftë në Jug apo në Veri.

“Më herët kam punuar në Izmir, në pozicione të ngjashme. Bashkëshortja ime është shqiptare. Pas martesës, kur erdha për herë të parë më pëlqeu shumë dhe nisëm të vinim për pushime. Më pas vendosëm të jetonim këtu dhe jam shumë i kënaqur”, thotë z. Uyanik.

Thotë se gjatë jetesës këtu ka ruajtur marrëdhënie me disa bashkatdhetarë, madje disa prej aktiviteteve që zhvillon Ambasada Turke i konsideron si raste të duhura për të ndarë momente me ata.

“Albtelecom është një prej kompanive më të rëndësishme në vend dhe unë jam krenar që jam pjesë e saj. Shqiptarët janë të zgjuar, ambiciozë, energjikë dhe janë shumë të hapur ndaj ideve të reja”, thotë ai.

Nga jeta në Izmir i mungojnë pjesëtarët e tjerë të familjes, por edhe disa nga miqtë. Ku jetonte atje dhe i duhej të merrte çdo ditë trenin për të shkuar në punë, shihte detin, të cilit ia ndien shumë mungesën. Shqipërinë, nuk e ka konsideruar asnjëherë si vend tranzit, pasi bashkëshortja është shqiptare, vajza e tij gjithashtu ka lindur këtu dhe vazhdon shkollën. “Shqipëria është vendi im i dytë, unë jam nënshtetas shqiptar, kjo do të thotë se: ‘Jam Shqiptar’”.

Emre Aslan, mjeku veteriner që u bë i famshëm nga pasioni për kuzhinën

Për ata që janë të pasionuar pas kuzhinës dhe kanë ndjekur edicionin e parafundit të “Master Chef” në “Top Channel”, djaloshi simpatik nga Turqia që fliste gjysmë anglisht e gjysmë shqip është padyshim një personazh i njohur.

Por, pakkush e di se ai është edhe një veteriner shumë i zoti. Ishte pikërisht ky profesion që e solli Emre Aslan në Shqipëri dhe tashmë ai jeton këtu që prej katër vjetësh.

“Unë mora një ftesë për të punuar këtu nga vendi i mëparshëm i punës, por vendosa të jetoj këtu. E dua këtë vend dhe i dua edhe njerëzit. Përpara sesa të vija këtu, të gjithë më flisnin nëse Tirana është një vend i sigurt, por fare lehtë ju them se është më i sigurt se Turqia apo shumë vende të tjera. Siguria nuk është arsyeja përse unë jetoj në këtë vend, por sepse e dua sikundër edhe njerëzit që jetojnë në të”, thotë z. Aslan.

Unë jam mjek veteriner dhe punoja në profesionin tim në Ankara, në një prej pesë klinikave më të mira.

“Kur jetoja aty, mora një telefonatë nga një spital privat në Shqipëri, ku më thanë se do të dëshironin që të punonin me mua. Kjo ishte edhe puna ime e parë që bëra në Shqipëri. Tashmë punoj edhe si vullnetar për një projekt të Bashkisë së Tiranës që merret me kafshët e braktisura, por së shpejti do të jem pjesë edhe e disa projekteve të tjera”, thotë ai. Orët e punës, janë ajo që dallon mes Ankarasë dhe Tiranës. Si kohëzgjatje janë pothuajse të njëjta (8 orë), por në Turqi nëse thua që unë duhet të punoj maksimumi tetë orë, askush nuk do të të ofrojë një punë”.

Dy vendet kanë ngjashmëri në kulturë dhe kjo padyshim që ndihmon në përshtatje.

“Ne kemi mësuar shumë prej jush përgjatë qindra viteve. E të mendosh që ne kemi pasur 20 kryeministra shqiptarë.

Kuzhina është gjithashtu e ngjashme. Në fillim, çdo ditë mësoja një gatim të ri që e kishim të përbashkët. Të gjithë e dinë se: ashure, llokum, bakllava, revani etj., janë gatime që i gjejmë në të dy vendet, por askush nuk mund ta thotë këtë për lakrorin.

Në Dardhë, atë e njohin si byrek me saç dhe në turqisht ne i themi “saç böreği”.

Kur unë isha konkurrent i “Master Chef”, mësova shumë gjëra për kuzhinën dhe për atë çka ne kemi të përbashkët”, thotë Emre.

Për të, si për çdo njeri, që zgjedh të jetojë në një vend tjetër, fillimi ishte i vështirë.

Tashmë gjërat sa vijnë e përmirësohen.

“Në shumë fusha ne kemi gjëra të përbashkëta, por jo në kulturën e të punuarit. Shqiptarët janë ekstremisht të zgjuar. Ndoshta kjo është edhe arsyeja se përse ne kemi pasur shumë kryeministra me origjinë shqiptare. Ndonjëherë e ndiej se këtu njerëzit nuk kanë dëshirë të punojnë. Në Turqi orët e punës zgjasin më shumë se në Shqipëri, ndaj dhe unë e kam më të lehtë që punoj këtu, duke qenë se më duhet të angazhohem vetëm 8 orë”, thotë ai.

Në lidhje me marrëdhëniet me bashkatdhetarët e tij, thotë se njohjet që ka për të janë të mjaftueshme, ndaj do të donte që të takonte më shumë shqiptarë.

“Unë mendoj se jam duke mësuar më shumë gjëra prej shqiptarëve”, thotë ai.

Planet për të ardhmen? Prioriteti për të, për momentin, janë kafshët. “Do të doja të kisha një spital kafshësh në pronësi, kështu njerëzit do të mund të më besojnë plotësisht” në vend.  /MONITOR/