11 gusht 2014 – Ish trajneri i Bayernit dhe Kombëtares Zvicerane të futbollit, Otmar Hitzfield ka këshilluar Xherdan Shaqirin të jetë i durueshëm dhe të luftojë për vendin e titullarit te skuadra bavareze. 22-vjeçari me origjinë shqiptare u transferua nga Baseli te kampionët e Gjermanisë në verën e vitit 2012, megjithatë vetë fakti se Shaqiri për vendin e titullarit në skuadër duhet të luftojë me dy emra të mëdhenj si Arjen Robben dhe Franck Ribery ka bërë që lojtari i përfaqësueses zvicerane të mendojë seriozisht largimin nga Bayerni.
“ Xherdan Shaqiri është e ardhmja e Bayernit të Mynihut. Unë mendoj se koha po ecën në favor të tij. Mosha e tij e re është një avantazh shumë i madh për të. Shanset që Shaqiri të shndërrohet një yll i Bayernit çdo vit që kalon, shtohen gjithmonë e më shumë”.
Para pak kohësh vetë Shaqiri deklaroi se do t’i pëlqente të qëndronte te Bayerni, megjithatë ai nuk përjashtoi mundësinë e një transferimi të mundshëm te Liverpooli ose Juventusi. 22-vjeçari ka një kontratë që e lidh me skuadrën bavareze deri në Qershor të vitit 2016.





