Dy persona janë vënë në prangat e policisë së Beratit, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim për shkak se akuzohen për drogë.
Mësohet se të arrestuarit janë shtetasit Elsjon Muzyri dhe Xhuljano Mollaj, të cilët kanë kundërshtuar policët si dhe kanë goditur me mjetin e tyre mjetin e efektivëve dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.
POSTIMI I PLOTË
Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Arrestohen dy shtetas, shpallet në kërkim një tjetër.
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: E. M., 21 vjeç dhe X. M., 27 vjeç, të dy banues në lagjen Uznovë, Berat, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. L.
Pas informacioneve të marra nga Policia se këta shtetas posedonin lëndë narkotike në mjetin e tyre, nga ana e Policisë, në aksin rrugor Poliçan-Berat, në vendin e quajtur “Qafa e mullirit” u organizua puna për ndalimin e tyre. Shtetasit e lartpërmendur nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, i kanë kundërshtuar ata duke goditur me mjetin e tyre mjetin e Policisë dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.
Menjëherë shërbimet e Policisë u vunë në ndjekje për kapjen dhe ndalimin e tyre. Gjatë ndjekjes konstatuan se këta shtetas kanë hedhur nga mjeti i tyre një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme procedurale.





