Në përfundim të protestës së opozitës mbrëmjen e 20 shkurtit, janë shoqëruar gjithsej 52 persona në ambientet e Policisë së Tiranës.

Nga këta, 17 persona janë arrestuar, ndërsa 35 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.

Kujtojmë se pas përfundimit të fjalimeve protesta u shoqërua me incidente. Disa protestues hodhën koktej molotov në drejtim të godinës së Kryeministrisë, ndërsa policia reagoi duke përdorur dhunë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.

Më pas protesta u zhvendos drejt Kuvendit të Shqipërisë. Edhe në këtë zonë u raportuan sërish incidente, ndërsa policia ndërhyri përsëri me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Si pasojë pati edhe disa të lënduar që u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, nga Komisariati Nr. 1, tha për mediat se një prej protestuesve të shoqëruar është dhunuar nga policia dhe, sipas tij, është mbajtur në komisariat në kundërshtim me ligjin, edhe pse kishte nevojë për ndihmë mjekësore.

Ai tha se pas ndërhyrjes së deputetëve të opozitës, personi në fjalë është transportuar me ambulancë drejt Spitali Universitar i Traumës për trajtim.