15 maj 2015 –  Mesfushori durrsak i Teutës, Bledar Hodo, ka besim se skuadra e tij do të fitojë ndaj Apolonisë dhe do të vazhdojë të jetë mes më të mirave edhe për sezonin e ardhshën. Hodo deklaroi se skuadra është tejet e motivuar në prag të kësaj përballje dhe po pret me padurim për të arritur objektivin, ndërsa kërkon impenjim maksimal nga e gjithë skuadra: “E rëndësishmë është që ne kemi besim dhe jemi shumë të motivuar dhe po punojmë shumë për këtë ndeshje vendimtare, me qëllim që të dalim sa më mirë. Pak javë më parë Apolonia ishte shumë pikë larg Teutës dhe ne kemi deklaruar se nuk e diskutonim mbijetesën. Ne ishim shumë pikë larg Apolonisë dhe menduam se gjithçka kishte marë fund, por kundërshtari hodhi disa hapa shumë të rëndësishme, ndërkohë që ne për fat të keq ngelem në vend. Nuk patëm ecurinë që mendonim në javët e fundit të kampionatit. Kishim menduar ndryshe. Megjithatë, unë dua t'i qëndroj korrekt deklaratës sime dhe theksoj sërish se ne nuk e diskutojmë mbijetesën, sepse do të fitojmë ndaj Apolonisë. Në futboll ka të papritura dhe janë në lojë tre rezultate, por ne kemi shumë besim tek aftësitë dhe forca jonë dhe do t'ia dalim. Skuadra është tejet e motivuar dhe jemi të bindur se do të fitojmë. Në një farë mënyrë është më e pakta që mund të bëjmë për skuadrën, duke shlyer në një farë mënyre gabimet që kemi bërë përgjatë kampionatit.” Pak vite më parë Teuta ndodhej në të njëjtën situatë dhe në një ndeshje plejofi me Burrelin arriti të sigurojë mbijetesën. Ishte Hodo që i dha fitoren skuadrës duke shënuar nga një penallti të fituar nga Çota në fundin e shtetës: “Pak a shumë ishte e  njëjta situatë. Ishte ndeshje vendimtare dhe loja e rregullt u mbyll në barazim. Edhe shtesës po i vinte fundi, por në minutën e fundit të shtetës së dytë, Çota fiton një penallti, të cilën unë e ktheva në gol dhe ne arritëm të siguronim mbijetesën. Edhe tani unë dhe e gjithë skuadra do të japim maksimumin, 200% të mundësive tona dhe do të bëjmë të pamundurën për ta fituar këtë ndeshje. Kjo është ndeshja më e rëndësishme e sezonit, ndaj duhet të japim maksimumin në fushë. Apolonia është një skuadër prej të cilës duhet patur shumë kujdes, pasi mund të ndodhemi në ndonjë situatë të pakëndëshme përgjatë lojës. Skuadra ka besim se do të bëjë një paraqitje tejet dinjitoze në përballjen me Apoloninë dhe do të fitojë  këtë sfidë delikate. ne na duhet me patjetër fitore për të siguruar mbijetesën, ndërkohë kundërshtari do të ishte i kënaqur edhe me një barazim, duke e lënë fatin e skuadrës në ndeshjen e fundit të kampionatit. ne nuk i kemi besë ndeshjes me Tiranën, ndaj duhet të futemi në fushë dhe të mos dalim pa fitore në përballjen me fierakët. Jemi koshient për rëndësin e madhe që ka kjo përballje. Unë kam besim se do të shënoj dhe do të mbijetojmë sikurse disa vite më parë. Absolutisht i bindur për këtë.”