Pavarësisht humbjes, tani skuadra duhet të mobilizohet dhe të shikojë përpara. Kështu shprehet kapiteni i Teutës, Bledar Hodo, i cili e shikon me optimizëm gjendjen e grupit dhe se skuadra duhet të marrë ngarkesën e duhur në këto ditë që të përballet me ekipin e Vllaznisë dhe se humbja me Flamurtarin është lënë pas.

“Skuadrat humbasin dhe nga këto humbje duhet marrë mësim duhet parë se ku gabuam që të kemi mundësinë në ditët në vazhdim të korrigjojmë e të mos përsërisim ato gabime. Skuadrës ju tërhoq vërejtje nga trajneri dhe shpresoj të bëhen mësim e të jemi më mirë fizikisht taktikisht dhe moralisht për ndeshjen e së dielës që luhet në Durrës”.

Hodo shton se kjo humbje duhet t’i shërbejë ekipit që të korrigjojë gabimet dhe të jetë më kërkues dhe e saktë para portës kundërshtare. “Ekipi humbi në ndeshjen me Flamurtarin po ky nuk është fundi i botës, skuadra tregoi që rivalizon dhe ka një dëshirë që të marrë rezultate pozitive pavarësisht se ku luan, për fatin tonë të keq ekipi u ndëshkua dhe nuk arritëm të barazonim rezultatin. Ishte një lojë totalisht e barabartë dhe nuk e meritonim të humbnim, por futbolli ndonjë herë nuk është i drejtë. Duhet të ishim treguar më të saktë para portës së Halilit dhe ndoshta do të dilnim me pikë nga ai takim. E dinim që do të ishte ndeshje e vështirë, por ishim përgatitur për një takim të tillë, gjithsesi fati ishte me vlonjatët këtë sfidë duke marrë tri pikë.

Ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shikojmë para dhe të mendojmë për sfidën e radhës. Flamurtari iku dhe nga ky takim duhet të marrim mësim që të mos gabojmë e të jemi më të kujdesshëm si në fushë dhe me zbatimin e udhëzimeve dhe skemave të trajnerit. Shpresoj që ekipi të bëjë kthesën në takimin e radhës që kemi përballë Vllaznisë dhe ky një takim shumë i vështirë, por duhet me patjetër të reagojmë dhe të mos humbasim ritmin dhe të ruajmë ecurinë pozitive që ekipi ka treguar. Ishte vetëm një humbje që s’duhet të ndikojë negativisht, pasi skuadra ka frymë pozitive dhe kjo është një ndër armët e këtij grupi”, ka theksuar kapiteni Hodo.