Durrsakët e Teutës kanë vijuar me përgatijet normalisht, ashtu si cdo ditë dhe Magani ka preferuar të ndajë ekipin sipas reparteve. Magani u kërkoi të tijëve përqendrim në çdo lëvizje dhe në çdo moment skuadra të jetë e gatshme për t’ju përgjigjur skemave apo dhe lojës sipas situatave.
Për mesfushorin durrsak Bledar Hodo skuadra po stërvitet dhe e ka kaluar humbjen me Partizanin. Sipas tij e rëndësishme është që ekipi të reagojë. “Po përgatitemi rregullisht dhe pse kampionati është ndërprerë, ekipi është i plotë dhe ka kaluar humbjen me Partizanin. Ajo është ndeshje e kaluar dhe nuk na jep apo merr pikë nëse e diskutojmë apo e rikujtojmë, duhet që të përmirësojmë gabimet e bëra apo dhe të nxjerrim mësime nga ai takim. Tani mbetet që të shikojmë ndeshjen rradhës ku duhet të tregojme forcë dhe karakter në atë përballje dhe të dalim me pikë që të mos kemi shkëputje nga Kukësi i vendit të tretë, dhe të jemi pjesëmarrës në kupat e Europës. E rëndësishme është që të reagojmë dhe të tregojmë që Teuta është ai ekip që ka fituar dhe në fusha të vështira por dhe ka reagur pas humbjeve”.
Djemtë e Detit do të kenë mbështetje nga tifozët e vet, edhe pas humbjes me Partizanin, tifozët premtojnë që nuk do ta braktisin skuadrën, madje ata shprehen se do të jenë dhe më shumë krah ekipit. Kjo u pa edhe në sfidën me Partizanin, ku pati mbi 3000 vetë në stadium si asnjëherë tjetër në këtë sezon, kjo edhe në sajë të bashkëpunimit me presidencën e cila hapi dyert duke plotësuar dëshirën e ultrasve. Madje në ndeshjet në vijim tifozët pritet të jenë të shumtë, duke filluar që nga sfida e radhës në Durrës kundër Flamurtarit.