Durrës, 22 qershor 2014 – Krahas afrimit të lojtarëve të rinj, drejtuesit e Teutës rëndësi të veçantë i kanë kushtuar edhe rinovimit të kontratave me disa lojtarë të organikës së tyre. Në Durrës ka disa futbollistë shumë cilësorë, të cilët nuk do ta kishin aspak të vështirë të bëheshin pjesë e ndonjë prej skuadrave të Superligës. Ndaj drejtuesit e skuadrës bregdetare janë treguar të kujdesshëm në këtë drejtim, duke parë me kujdes situatën e secilit lojtar. Një nga titullarët e sezonit të kaluar ishte edhe Bledar Hodo.
Presidenti Edmond Hasanbelliu konfirmoi se 28- vjeçari do të jetë sërish pjesë e Teutës. Vetë lojtari tregon se ka pasur shumë oferta nga klube të tjera, por që kurrsesi asnjëra nuk mund të vihej mbi zgjedhjen e Teutës.
“Këtë vit si asnjëherë tjetër kam pasur shumë oferta nga klube të ndryshme. Gjithsesi dëshira ime ishte të qëndroja te Teuta dhe bashkë me presidentin Hasanbelliu ramë dakord që unë të vazhdoj të jem pjesë e skuadrës. Durrësi është qyteti im dhe sigurisht qëndrimi te Teuta është edhe një zgjedhje emocionale”, – deklaroi mesfushori i shumëshëtitur i Superligës shqiptare.
Më tej Hodo u ndal edhe te Teuta e sezonit të ri.
“Po shikoj që këto ditë drejtuesit po afrojnë lojtarë të rinj dhe gjithashtu po konfirmojë disa emra me shumë cilësi. Kjo më jep besim që do të ndërtohet një ekip serioz për sezonin tjetër. E rëndësishme është që skuadra të marrë formë shpejt, për çka trajneri Lika është ekspert. Janë afruar disa lojtarë të rinj, të cilët falë energjisë dhe dëshirës së madhe që kanë, do t’ia shtojnë kualitetet skuadrës”, – përfundoi durrsaku.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





