Durrës, 6 maj 2014 – Tashmë lojtarët e Teutës kanë nisur përgatitjet për Vllazninë, e cila është padyshim finalja e sezonit për durrsakët. Me tri pikët që marrin në tavolinë, vëmendja e durrsakëve u përqendrua te sfidat e kundërshtarëve, Partizanit dhe Laçit dhe tashmë pas humbjes së Partizanit gara ka mbetur me Laçin. Për ndeshjen e fundit të sezonit, ku do të jenë mysafirë në Shkodër, Teuta pritet ta ketë të plotë grupin. Trajneri Biturku pritet të ketë në dispozicion edhe Tefik Osmanin, i cili me shumë gjasa rikthehet nga dëmtimi, ndërsa Samb e shleu dënimin e kartonit të kuq të marrë me Skënderbeun. Mesfushori durrsak Bledar Hodo është shprehur optimist dhe thotë se Teuta do të shkojë në Europa Ligë. “Pushuam pak ditë pasi do të përballeshim me Bylisin e përjashtuar dhe shfrytëzuam rastin për të rifituar energji dhe tashmë kemi nisur përgatitjet për përballjen e fundit të sezonit. Fatkeqësisht jemi në duart e të tjerëve për arritjen e objektivit, por besoj se kundërshtarët do të gabojnë dhe ne nuk do të falim nëse do të na vijë mundësia. Në Shkodër shkojmë vetëm për fitore dhe për ta mbyllur me dinjitet kampionatin. Aty do të bëhen edhe llogaritë nëse ne do të jemi pjesëmarrës në Europë”, – u shpreh mesfushori i cili shton se janë mundësitë që Teuta ta realizojë synimin: “Ne tashmë e kaluam Partizanin e po kështu kemi mundësi për të kaluar ndërmjet Kukësit si fitues i Kupës së Shqipërisë. Pra, kemi shanse reale për ta kapur Europën, ndaj dhe besojmë. Kam besim se do ta kalojmë Laçin në renditjen përfundimtare dhe më pas të shpresojmë te një “dhuratë” e Kukësit nga finalja e Kupës së Shqipërisë. Unë dhe gjithë skuadra jemi optimistë se do shkojmë në Europë. Në këtë fund sezoni, skuadra po kalon një moment shumë të mirë dhe do përpiqemi të rikuperojmë gabimet që kemi bërë gjatë rrugës. Duhet të kryejmë detyrën tonë në përballjen e fundit me Vllazninë. Vitet e fundit kemi marrë pjesë rregullisht në Ligën e Europës dhe s’e shikojmë veten jashtë këtij kompeticioni. Do të jetë e vështirë për ne, nëse nuk do t’ia arrijmë qëllimit. Do të na duhet të nisim gjithçka nga e para, çka nuk është aspak e favorshme për Teutën”, – deklaroi Hodo.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/