Durrës, 17 shtator-Një pikë nuk i ka kënaqur “djemtë e detit”, të cilët këtë javë i pret një tjetër përballje e ashpër, ku do të ndeshen në kryeqytet me Partizanin, i cili po kalon një formë të shkëlqyer, duke siguruar dy fitore radhazi ndaj kundërshtarëve direkt si Skënderbeu e Kukësi. Duke i bërë një analizë barazimit me Laçin, mesfushori dhe një nga lojtarët kyç të durrsakëve Bledar Hodo nënvizon faktin që skuadra shpërdoroi raste përpara portës por duke goditur edhe dhtyllat: “Ishte një ndeshje e luftuar nga të dyja skuadrat, që për hir të së vërtetës luajtën një futboll të bukur. Ne u futëm në fushë për të fiksuar tre pikët e radhës, por përballë hasëm një kundërshtar tejet të motivuar, i cili luajti si i barabartë në të gjitha aspektet. Laci është një skuadër shumë e mirë dhe me lojtarë cilësorë, çka do të thotë se është shumë e vështirë për ta mundur. Unë mendoj se ishim më lartë se kundërshtari dhe mund të kishim fituar, por shpërdoruam disa raste. Barazimi nuk na kënaq, e konsideroj rezultat negativ, i cili duhet përmirësuar që në sfidën e radhës”, u shpreh fillimisht mesfushori. Të premten Teutën e pret një përballje e vështirë në kryeqytet me Partizanin. “Demat e kuq” po kalojnë një formë të mirë dhe kanë treguar se janë një skuadër shumë e vështirë për t’u mposhtur. Megjithatë, Hodo ka besim se ndaj të kuqve do të bëjnë një paraqitje dinjitoze dhe do të synojnë fitoren: “Jemi koshient që përpara kemi një sfidë mjaftë të vështirë. Partizani është një nga skuadrat më të forta të kampionatit. Parashikoj një përballje të ashpër. Ne po përgatitemi me intensitet për këtë ndeshje dhe besoj se do të bëjmë një paraqitje dinjitoze dhe shpresojmë të kthehemi me pikë të plota në Durrës. Vërtet nuk kemi grumbulluar pikët e mjaftueshme, por ju sigurojë se nuk kemi frikë asnjë kundërshtar. Në çdo përballje ne futemi në fushë, me qëllimin për të marrë maksimumin prej saj. Këtë qëllim kemi edhe këtë radhë. Kemi respekt për Partizanin, sepse ka një fanele të rëndë, por nuk kemi frikë nga asnjë ekip dhe do të kërkojmë fitoren”, përfundoi mesfushori, i cili është një nga pikat më të forta tek Teuta.

/agjencia e lajmeve Dyrrah/