19korrik 2015 – Ekipi i Maganit vazhdon fazën përgatitore në Bullgari ku pritet të zhvillojë miqësoren e radhës ndaj ekipit maqedonas FK Horizont Tërnova. Ndeshja është programuar rreth orës 18:00 ditën e hënë në Kempinski Grand Arena Bansko të Bullgarisë. Mesfushori durrsak Bledar Hodo shprehet optimist për ecurinë e skuadrës dhe përgatitjet e kryera deri tani: “Kemi disa ditë që po zhvillojmë fazën përgatitore në Bullgari dhe mund të shprehem që falë ndërhyrjes së presidencës dhe punës së trajnerit Magani, kjo Teutë do të jetë kompetitive. Falë përforcimeve dhe ruajtjes së organikës nga edicioni i kaluar, besojmë se do kemi një paraqitje më të mirë se një vit më parë në Superiore”. I pyetur për lojtarët e rinj që i janë bashkuar skuadrës, mesfushori shtoi: “Është akoma herët që të flasim e të japim verdikte apo mendime, pasi duan kohë të ambientohen dhe të bëhen pjesë e skuadrës. Janë lojtarë që kanë potencialin e duhur për të qenë pjesë e ‘djemve të detit’. Jam i bindur që ata do japin maksimumin për fanellën që mbajnë veshur, pasi e vërej qartë motivimin e tyre. Të gjithë kemi besim se do arrijmë të realizojmë objektivat e vendosura nga drejtuesit”.
Pavarësisht lëvizjeve të kryera deri tani, klubi durrsak duket se nuk e ka mbyllur ende merkaton. Presidenca dhe stafi teknik janë duke vëzhguar mundësitë për të plotësuar ato reparte që mund të ketë nevojë skuadra. Objektivi është për të pasur një edicion më të suksesshëm se ai i kaluari, ku deri në javët e fundit luftuan për mbijetesën, por që ia dolën të mbyllin kampionatin në vendin e tetë, me katër pikë më tepër se Apolonia e vendit të parafundit.