Durrës, 17 maj 2014 – Në Durrës presin fituesen e Kupës së Shqipërisë. Madje në ndeshjen Kukësi – Flamurtari, pritet të ketë edhe tifozeri durrsake, për të mbështetur veriorët. Që “djemtë e detit” të shkojnë në Europë, u duhet që këtë trofe ta fitojë Kukësi, kjo pasi në këtë mënyrë do të lirohet vendi i katërt në renditjen e Superiores.
Për këtë arsye në kampin durrsak presin me padurim që të mësojnë fatin e tyre, ndërsa mesfushori Bledar Hodo shpreson te një fitore e Kukësit.
“Së pari, dua të them se ndihem keq që varëm shpresat te të tjerët. Këtë nuk duhet ta kishim lejuar kurrsesi. Teuta ka vite që merr pjesë rregullisht në Ligën e Europës dhe meriton të jetë sërish këtë sezon. Pavarësisht mbylljes jo shumë të mirë të sezonit, ne kemi një skuadër shumë të mirë, me elementë cilësorë dhe që meriton më shumë se çdo skuadër tjetër për të përfaqësuar Shqipërinë në Europë. Nëse do të na jepet mundësia, premtojmë se do paraqitemi denjësisht”,- pohoi mesfushori.
Duke vijuar më tej Hodo u ndal në një analizë për sezonin.
“Kemi një skuadër të mirë, por duhet të pranojmë se krahas lojës së mirë, kemi pasur luhatje në rezultate. E nisëm mirë sezonin, madje, nga java në javë po thyenim rekorde pa humbje. Luhatjet filluan në sfidën e Shkodrës, ku Vllaznia barazoi në sekondat e fundit me anë të një aksioni pa pretendime. Lëshuam katër pikë me Skënderbeun dhe Partizanin në shtëpi dhe kjo është e pafalshme. Nëse do të llogarisnim edhe Vllazninë, gjashtë pikë të humbura në harkun e pak minutave. Mund të jetë edhe çështje fati, por nuk është justifikim, pasi e kishim situatën në dorë dhe nuk duhet të kishim lëshuar. Ndërsa në kupë, nuk morëm dot rezultatin që duhej në përballjen e fundit me Kukësin dhe këto janë pak a shumë gabimet që kemi bërë”,- përfundoi Hodo.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





