Pas fitores së arritur në Vlorë, trajneri Magani ka zhvilluar një seancë të lehtë për lojtarët që luajtën ndaj Flamurtarit, ndërsa pjesa tjetër e ekipit është stërvitur normalisht. Ndërkohë që peqinasi ka lënë pushim ekipin ditën e djeshme, autori i golit Tarik është larguar drejt Serbisë fill mbas ndeshjes me Flamurtarin.Mesfushori Hodo, i cili në ndeshjen e fundit e nisi takimin nga stoli, shprehet se skuadra po rritet dhe se ekipi po tregon se nuk e do këtë pozicion dhe po punon për këtë gjë. Durrsaku më tej shton se ndaj Korabit do të jetë shumë e vështirë dhe pse shumë kush e mendon të lehtë ai ka opinion të kundërt. Sipas tij, kjo ndeshje duhet përgatitur mjaft mirë që të shmangen surprizat e pakëndshme në këtë moment shumë të mirë për ekipin e Teutës.

“Fitorja në minutën e fundit të takimit na ka dhuruar një gëzim shumë të madh, por gjithashtu e dimë që ai gëzim mbaroi aty pasi na presin ndeshje të tjera. Jam i lumtur që mundëm një kundërshtar direkt dhe se morëm tri pikë në transfertë. Kemi disa javë që luajmë mirë, por s’kemi marrë rezultatin e kërkuar dhe të merituar, në ndeshjen e fundit dhe me pak fat ia arritëm të dilnim me tri pikë. Tani na pret një ndeshje po aq e vështirë, ajo ndaj Korabit.Nuk duhet të bëjmë gabimin që ta nënvlerësojmë kundërshtarin. Pavarësisht situatës jo të mirë që po kalojnë. ne dimë që ‘ujku i plagosur’ është me i egër se zakonisht. Duhet të shmangim ndonjë surprizë të pakëndshme dhe prandaj do të përgatitemi siç duhet që në Durrës të marrim një fitore me shumë vlera për t’iu larguar zonës së rënies nga kategoria”, deklaroi mesfushori Hodo, i cili ka arritur të riaftësohet nga dëmtimi që ka pasur.