Christiane Hohmann, Kryetare e Delegacionit të BE-së në Shqipëri për DW flet për progresin dhe sfidat e Shqipëisë në përshpejtimin e ritmeve të hyrjes në BE.

Ajo thekson se lufta kundër korrupsionit duhet të vazhdojë.

DW: Ambasadore Hohmann, në fillim të këtij muaji, në Tiranë u zhvillua samiti BE-Ballkan Perëndimor, i konsideruar si një ngjarje historike për përqasjen e tij: nga pasiguria globale, në përshpejtimin e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor, (BP). Çfarë mendoni për shanset e Shqipërisë për ta kapur këtë mundësi, të ardhur nga situata gjeopolitike dhe çfarë duhet shmangur për të mos e vënë atë në rrezik?

Christiane Hohmann: Samiti BE-BP përfaqëson vërtet një moment historik për Shqipërinë dhe gjithë rajonin e BP. Ishte hera e parë që Samiti u zhvillua në BP, duke sjellë një mesazh të rëndësishëm për këto vende dhe popujt e tyre: BE mbetet thellësisht e bindur se ne i përkasim njerit-tjetrit! BE është gjithashtu fuqimisht i përkushtuar për të mbështetur procesin e zgjerimit dhe integrimin rajonal si edhe për të qendruar përkrah gjashtë vendeve ndërkohë që përballemi bashkërisht me pasojat e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Edhe një herë, Shqipëria tregoi të jetë një vend i jashtëzakonshëm pritës, me një mikpritje veçanërisht bujare.

Këtë vit Shqipëria ka parë shumë progres. Në korrik nisëm zyrtarisht bisedimet e anëtarësimit me Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Ky ishte një hap i merituar dhe i shumëpritur në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Praktikisht, kemi kthyer edhe një faqe në marrëdhëniet tona dhe kemi nisur procesin e ashtuquajtur “shqyrtim analitik”, faza e parë e procesit të negociatave. Gjatë muajve të fundit, BE dhe nëpunësit publikë shqiptarë janë ulur së bashku në Bruksel, duke punuar krah për krah, për të shqyrtuar ligjet dhe rregulloret më të fundit të BE, për të vlerësuar se sa nga standardet e BE-së janë vendosur tashmë në Shqipëri dhe ku janë boshllëqet. Kjo do t’u sigurojë të gjithëve një pasqyrë të qartë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria në mënyrë që të përmbushë gjithë kriteret që të jetë e aftë t’i bashkohet BE.

Ajo që nisëm në korrik i ngjan një maratone. Ajo nënkupton shumë punë në të ardhmen, vendosmëri të fortë politike nga i gjithë spektri politik, kompetencë të jashtëzakonshme dhe udhëheqje të fuqishme për të sjellë atë ndryshim transformues që përcakton procesin e anëtarësimit në BE. Në të njëjtën kohë, transparenca e plotë dhe përgjegjshmëria ndaj gjithë shoqërisë dhe publikut shqiptar në përgjithësi është një element thelbësor i këtij procesi. Ajo që shtrihet përpara shkon shumë përtej një procesi teknik; është një rrugë gjithëpërfshirëse reformash me ndikim të gjerë, që kërkon mirëkuptimin dhe ndërgjegjësimin e gjithë popullatës. Është përgjegjësia e autoriteteve shqiptare për ta drejtuar këtë përpjekje kombëtare në drejtimin e duhur, me shpejtësinë e duhur.

Për më tepër, është e qartë që Delegacioni i BE do të vazhdojë të jetë këtu për të mbështetur Shqipërinë dhe popullin shqiptar në këtë detyrë të vështirë.

DW: BE dhe faktori ndërkombëtar rikujtuan së fundi rëndësinë e luftës kundër korrupsionit për të kapur mundësinë që sapo përmendët. Perceptimi i qytetarëve shqiptarë është që për shkak të korrupsionit, pasuria publike po grabitet pandërprerë, potenciali i vendit po gërryhet pandërprerë. Një raport i fundit nga “Lidershipi i Evropës Juglindore për Zhvillim dhe Integrim” e rendit Shqipërinë si vendin më të prekur, me nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon në administratën publike. Çfarë mendoni se është e gabuar, çfarë duhet bërë më mirë për ta ndaluar korrupsionin të minojë institucionet demokratike publike dhe për të pasur rezultate të prekshme për qytetarët?

Christiane Hohmann: Lufta kundër korrupsionit është çelësi për rikthimin e besimit në të gjitha nivelet e shoqërisë shqiptare plus krijimin e një klime të shëndetshme biznesi që është tërheqëse për investimet dhe sipërmarrjen. T’i jepet fund mosndëshkimit – ky është një mesazh që e dëgjoj shumë shpesh në takimet dhe shkëmbimet në gjithë vendin, përfshirë nga profesionistë të rinj dhe sipërmarrës. Në këtë kuptim, pritshmëritë e qytetarëve janë të qarta.

Nga këndvështrimi i BE, Shqipëria po vazhdon përpjekjet e saj për të ndërtuar një historik hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh në luftën kundër korrupsionit dhe po shohim rezultatet e para. Është e qartë që këto përpjekje duhet të vazhdojnë, duke përfshirë vullnet më të madh politik, forcim të mëtejshëm të strukturave përkatëse, burimeve dhe aftësive adekuate që mbeten të nevojshme. Institucionet e sapokrijuara të drejtësisë, përfshirë SPAK dhe organet e vetingut, kanë vazhduar të japin rezultate në luftën kundër korrupsionit në përgjithësi, por edhe në radhët e zyrtarëve të lartë si edhe brenda gjyqësorit. Prandaj, do të jetë e rëndësishme të mbështeten këto përpjekje për një periudhë afatgjatë, për të rindërtuar besimin, për shembull tek gjyqësori, por edhe në administratën publike.

DW: Ambasadore Hohmann, Komisioni Evropian ka paralajmëruar për rreziqet- mes tyre korrupsionin dhe shkelje të ligjit të BE- që paraqet projekti i qeverisë    Rama për dhënien e nënshtetësisë shqiptare të huajve që mund të investojnë në Shqipëri ose dhënien e të ashtuquajturave “pasaporta të arta”. Josep Borrell kohët e fundit e ka bërë të qartë se rruga drejt anëtarësimit në BE është “një rrugë me dy drejtime”. A rrezikon Shqipëria të kthehet mbrapsht në procesin e anëtarësimit nëse do të zbatohet projekti i “pasaportave të arta”?

Christiane Hohmann: Rreziqet që lidhen me krijimin e një skeme të tillë janë theksuar në disa raporte të Komisionit Evropian dhe në disa takime të zhvilluara mes zyrtarëve të BE dhe autoriteteve shqiptare gjatë viteve të fundit. Këto rreziqe janë shprehur në mënyrë eksplicite në raportin e fundit vjetor të progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, si dhe në Raportin e fundit të Mekanizmit të Pezullimit të Vizave. Këto rreziqe përfshijnë depërtimin e krimit të organizuar, pastrimin e parave, evazionin fiskal dhe korrupsionin nëpërmjet aplikantëve të mundshëm nga vendet e treta në një skemë të ardhshme shqiptare.

DW: Cilat janë pritshmëritë e BE nga SPAK vitin e ardhshëm? E kam fjalën  që ndër efektet e tjera negative, korrupsioni dobëson edhe  ndikimin transformues të BE dhe u ofron mundësi aktorëve të tjerë ndërkombëtarë për të minuar besimin e qytetarëve në BE dhe demokraci.

Christiane Hohmann: Reforma themelore e sistemit gjyqësor të Shqipërisë ishte një nga përpjekjet më të rëndësishme që nga rënia e komunizmit, që synonte të zëvendësonte korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë me integritetin, pavarësinë, transparencën dhe standardet evropiane në sistemin e drejtësisë, në mënyrë që ai të rifitonte besimin e publikut. BE konsideron se reforma në drejtësi, e miratuar unanimisht nga parlamenti në korrik 2016, ka prodhuar në përgjithësi rezultate të mira. Puna e SPAK është thelbësore për zbatimin e suksesshëm të reformës në drejtësi. Ndërsa mirëpresim rezultatet konkrete që SPAK ka dhënë deri tani, mbetet e rëndësishme të vazhdojmë në këtë rrugë. Le të kujtojmë se vetëm pak vite më parë shumë njerëz dyshonin se një reformë kaq thelbësore në sektorin e drejtësisë në Shqipëri do të ishte e mundur. Do të doja ta shfrytëzoja këtë rast për të falënderuar ata që punojnë çdo ditë fort për zbatimin e reformës në drejtësi dhe që janë të përkushtuar për të krijuar një gjyqësor të pavarur plotësisht funksional për Shqipërinë.

Natyrisht, kjo punë nuk ka mbaruar. Përpjekjet duhet të vazhdojnë, madje të shtohen për të krijuar një historik solid të hetimeve, ndjekjeve penale dhe gjykimit të rasteve të korrupsionit, sekuestrimit dhe konfiskimit/kthimit të aseteve kriminale që rezultojnë nga veprat e lidhura me korrupsionin. Gjykatat e Prokurorisë së Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe SPAK duhet ta trajtojnë efektivisht korrupsionin e nivelit të lartë, të  mbështetura me burime dhe aftësitë e duhura si dhe me një bashkëpunim efektiv midis këtyre strukturave të reja dhe subjekteve të tjera të prokurorisë dhe atyre gjyqësore.

Vendime të rëndësishme janë edhe nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Gjithashtu, institucionet e vetingut kanë përfunduar rreth 600 çështje të vetingut në shkallë të parë, duke përfshirë të gjitha dosjet me përparësi, nga gjithsej 804 magjistratë që i nënshtrohen vettingut. Më lejoni të kujtoj se procesi i vetingut konsiston në verifikimin e pasurisë, të formimit dhe kualifikimeve profesionale të të vlerësuarve.

DW: Ambasadore Hohmann, dëshira e qytetarëve shqiptarë për anëtarësimin e vendit në BE është shumë e madhe. Imigrimi masiv i të rinjve dhe profesionistëve të kualifikuar është në kontrast të thellë me një dëshirë të tillë, pasi është rinia faktori kryesor për ta realizuar atë. Çfarë mendoni, si mund të përballohen efektet e rritjes së imigracionit të të rinjve dhe ikjes së trurit nga Shqipëria? Çfarë zgjidhje ofron tani BE-ja?

Christiane Hohmann: Kam pasur rastin të flas me shumë të rinj nga zona të ndryshme në gjithë Shqipërinë. Unë përshëndes kuriozitetin e tyre, dëshirën për të mësuar, eksploruar por edhe dëshirën e tyre të fortë për të kontribuar në përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në BE. Ajo që është shumë e qartë për mua është se rinia e Shqipërisë është rinia e Evropës, që përballet me sfida të ngjashme, ka të njëjtat ëndrra dhe të njëjtin potencial të fortë. Në Shqipëri dhe në shtetet aëtare të BE-së veprimi më urgjent është t’i përgjigjemi thirrjes për gjithëpërfshirje që vjen nga brezi i ri. Është e rëndësishme të kuptohet se të rinjtë shqiptarë të sotëm janë qytetarët e nesërm të BE. Dhe në një vend ku 40% e popullsisë është më e re se 30 vjeç, është thelbësore t’i dëgjosh ata dhe t’i përfshish në proces.

Për ne, arsimi është në qendër të këtij ndryshimi. Programet tona të financuara nga BE në Shqipëri dhe në BE, si “BE për rininë”, “BE për novacionin”, “BE për shkollat” dhe – ndoshta programi më popullor i BE-së, “Erasmus +”, me 10.000 të rinj shqiptarë që kanë përfituar prej tij, janë shembuj se si BE mbështet brezin e ri për të mësuar, për t’u rritur, për t’u fuqizuar dhe -më e rëndësishmja-për të përfituar më shumë mundësi për punë cilësore në Shqipëri. Një shembull tjetër i mirë është mbështetja e BE për planet e Shqipërisë për të futur një Garanci për Rininë, një mjet që tashmë është provuar si shumë i dobishëm në disa shtete anëtare të BE për të trajtuar nivelet e larta të papunësisë tek të rinjtë dhe për të lehtësuar një tranzicion më të butë nga shkolla në punë.

Shqipëria ka nevojë për vizionin, angazhimin dhe pjesëmarrjen e gjithë të rinjve për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, më të gjelbër, më gjithëpërfshirëse dhe digjitale. Ky brez është i paduruar përballë sfidave mjedisore, padrejtësive sociale dhe diskriminimit. Një brez që është gjithashtu i paduruar me ritmin aktual të progresit në Shqipëri dhe në Bashkimin Evropian. Është përgjegjësia jonë t’i dëgjojmë ata dhe t’u përgjigjemi nevojave të tyre duke ndërtuar politika të shëndosha publike dhe shoqëri konkurruese ku brezi i ri mund të lulëzojë.

DW: Çfarë mendoni për situatën aktuale politike në Shqipëri? A është në favor të përshpejtimit të zhvillimit socio-ekonomik dhe zbatimit të reformave të nevojshme për ritme më të shpejta drejt anëtarësimit në BE?

Christiane Hohmann: Është shumë e rëndësishme që qeveria shqiptare, vitet e fundit, ka vazhduar të ruajë fokusin e përgjithshëm në reformat në rrugëtimin e vendit drejt BE, pavarësisht sfidave të trajtimit të pasojave ekonomike dhe sociale të goditjes së trefishtë të tërmetit të vitit 2019, pandemisë COVID-19 dhe, së fundmi, të luftës prej agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Ajo që ka rëndësi tani, është që qeveria të vazhdojë, nëpërmjet prioriteteve të politikave dhe komunikimit të saj, të fokusohet fuqishëm në përshpejtimin e reformave që lidhen me BE, duke formësuar një konsensus politik dhe kombëtar përtej linjave partiake dhe me të gjitha segmentet e shoqërisë.

DW: Ambasadore Hohmann, çfarë do të thotë për ju të drejtoni Delegacionin e BE-së në Shqipëri tani, pikërisht në këtë periudhë?

Christiane Hohmann: Unë e shoh këtë si një privilegj, të përfaqësosh Bashkimin Evropian në një vend që është kaq evropian dhe me popullin shqiptar që manifeston një dëshirë kaq të fortë për Evropën. Një shumicë dërrmuese e popullsisë shqiptare, mbi 90%, pavarësisht nga preferencat e tyre politike, duan ta shohin vendin e tyre të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Ky është një motivim shumë i madh për mua, që të mund të kontribuoj në një projekt kaq të rëndësishëm për vendin dhe për BE. Ju keni dëgjuar shpesh herë të themi se, për ne, Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë që Shqipëria hyri në një fazë të re me hapjen e bisedimeve të anëtarësimit këtë vit, unë iu bashkova Delegacionit dhe Ekipit Evropa në vend. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku – institucionet shqiptare, forcat politike, shoqëria civile, qytetarët – për ta bërë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Evropian. “Evropa është këtu!”/ DW