Holanda, nga sot, nis me zbatimin e masave të reja kundër koronavirusit, pasi numri i rasteve të reja në ditë i është afruar tashmë 3-mijëshit. Shumë qytetarë, për herë të parë, do të këshillohen të vendosin maska në dyqane.
Kryeministri Mark Rutte tha se situata në tre qytetet më të mëdha të vendit – Amsterdam, Roterdam dhe Hagë – është bërë “serioze” dhe kërkon veprime urgjente.
Nga sot, njerëzit duhet t’i shmangin udhëtimet jothelbësore midis këtyre tre qyteteve, tha Rutte. Restorantet dhe baret do të duhet të mbyllen deri në orën 22:00. Njerëzit këshillohen të punojnë nga shtëpia, ndërsa tifozët nuk do të lejohen më të marrin pjesë në ngjarje sportive.
Veshja e maskave në Holandë është e detyrueshme në transportin publik, por Qeveria holandeze e ka shmangur deri tani sugjerimin që qytetarët të mbajnë maska brenda dyqaneve. Masat e reja do të zgjasin së paku për tri javë.
“Natyrisht se këto masa do të kenë pasoja negative ekonomike. Por, lejimi i shpërthimit të virusit do të kishte pasoja edhe më të mëdha, përfshirë dëmtimin e ekonomisë”, tha kryeministri Rutte.
Krahasuar me fqinjët e saj, Holanda i ka shmangur kryesisht kufizimet e rrepta deri më tani. Ky vend me 17 milionë banorë ka konfirmuar mbi 115,000 raste me koronavirus dhe mbi 6,400 viktima.