Holanda siguroi rikthimin në gjysmëfinalet e një Europiani pas 20 vitesh. Tulipanët do të sfidojnë Anglinë në datën 10 korrik në “Signal Iduna Park”. Me misionin për të mbërritur në finalen e madhe të Berlinit, për të tentuar më pas fitimin e Europianit të dytë në histori pas suksesi në 1988. Spanjë-Francë është gjysmëfinalja tjetër e Euro 2024, e programuar për datën 9 korrik në “Allianz Arena” të Mynihut.

Trajneri Ronald Koeman është i përqendruar te dueli i së mërkurës përballë “Tre Luanëve”, ndërkohë që e ka një preferencë në lidhje me finalen. “Spanja apo Franca? Do të doja një finale kundër spanjollëve, pasi me Francën u ndeshëm në grupe“, u shpreh timonieri i Holandës. E nëse ndodh do të përsëritej finalja e Kupës së Botës 2010. Me iberikët që fitonin Botërorin e parë në histori falë golit të Iniestës në kohën shtesë.