Brazil, 18 qershor 2014 – Hollanda arriti fitoren e dytë në këtë Botëror, duke siguruar kalimin në fazën e eliminimit direkt. Tulipanet fituan 3 me 2 me Australinë, që bëri një rezistencë të fortë. Edhe pse ekipi më i dobët në renditjen ndërkombëtare, Australia arriti të ishte edhe në avantazh në një ndeshje të bukur.

Që në fillim, Australia e bllokoi lojën e holandezëve, që vinin nga fitorja e bujshme me Spanjën me rezultatin e thellë 5 me 1. Por cilësitë personale të Arjen Robben bënë që Hollanda të kalojë në avantazh në minutën e 20-të. Nuk zgjat shumë avantazhi dhe në minutën e 21-të, Cahill realizoi një supergol.

Në pjesën e dytë, Australia shndërron në gol një penallti. Jedinak e çon Australinë në qiell, por Hollanda nuk dorëzohet. Në minutën e 58-të, Van Persie barazon shifrat.

Për avantazhin mendon Depay, me një goditje shumë larg zonës, në një tjetër supergol në këtë ndeshje. Botërori vazhdon të dhurojë spektakël dhe shumë gola.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/