Tiranë, 19 qershor 2014 – Kryeministri Edi Rama, në kohë reale bëri një përshëndetje në seancën parlamentare, sapo në Hollandë u mor vendimi që Parlamenti të votojë pro për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.
Vendi, që në dhjetor u shfaq më rezistenti ndaj një vendimi pozitiv, e konfirmoi këtë përmes kyeministrit Mark Rute. Gjatë raportimit në komisionin për çështjet europiane, ai deklaroi se bazuar në meritën objektive Shqipëria duhet të marrë statusin e vendit kandidat.
“Shqipëria ka ende probleme me krimin e organizuar dhe korrupsionin, të nënvizuara nga Transparency International”, deklaroi Rute përpara deputetëve. Por ai tha se nga dhjetori, qeveria ka bërë hapa që meritojnë të vlerësohen me votën pro statusit.
“Kryeministri Rama ishte në Hagë për vizitë dhe ka komplimentet e mia më të larta për punën që ka bërë deri tani. Ka bërë hapa të rëndësishëm dhe jashtëzakonisht të vështira për të mbajtur premtimet”,deklaroi Rute.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





