Hollandë, 12 qershor 2014 – Nëse ka një kombëtare të pafat në kuptimin e vërtetë të fjalës, ajo është vetëm Holanda. “Tulipanët” kanë bërë revolucion, kanë pasur emra që kanë bërë epokë, por kurrë nuk e kanë fituar Botërorin. Ata janë gjithashtu skuadra që ka shkuar më tepër në finalen e një Kupe Bote, pa mundur dot ta prekin trofeun e artë. Në tre raste, ëndrra e tyre është shuar në pikën më kulminante të turneut: në finalen e 1974-s dhe 1978-s, Holanda iu dorëzua skuadrave të shtëpisë (respektivisht Gjermanisë Perëndimore dhe Argjentinës). Ndërkohë që në Botërorin e fundit, “Afrikë e Jugut 2010″, ishte Spanja ajo që i gjunjëzonte me një gol të Andres Iniestës në shtesë. Van Persi dhe Roben kanë marrë përgjegjësitë më të mëdha mbi supe për t’ia dalë këtë vit.
Goli më i shpejtë – Skuadra që në “Brazil 2014″ do ta drejtojë Luis Van Gali, nuk ka arritur dot të bëhet pjesë e librit të artë të historisë, por rekordet që ka vendosur nuk janë të pakta: Penalltia e transformuar nga Johan Neskens 7 korrikun e 1974-s kundër Gjermanisë Perëndimore, është goli më i shpejtë i shënuar në një finale Botërori: topi kaloi vijën fatale në sekondën e 90-të të lojës. Luis Van Gal është trajneri i nëntë që do drejtojë Kombëtaren e Holandës në Botëror. Deri më sot, vetëm një trajner ka arritur që të jetë në stolin e skuadrës portokalli në dy edicione të ndryshme të Kupës së Botës: Ai është Bob Glendening, tekniku që ishte në pankinën e skuadrës gjatë Kupave të Botës 1934 dhe 1938. Në të dyja rastet, Holanda u eliminua pasi luajti dhe humbi një ndeshje të vetme.
Pritje 40-vjeçare – Nëse debutimi në Botëror erdhi në turneun e dytë, “Itali 1934″, u deshën 40 vite të tjera që Holanda të arrinte fitoren e saj të parë në një Kupë Bote: suksesi i tyre i parë mban datën e 15 qershorit 1974, me një fitore 2-0 përballë Uruguait.
Gol dhe autogol – Holandezi Ernie Brandts është i vetmi futbollist në historinë e Kupës së Botës që ka shënuar një gol dhe autogol në të njëjtën ndeshje: ishte takimi me Italinë në Botërorin e Argjentinës. Brandts përcolli topin në rrjetën e tij në minutën e 18-të, gjatë një tentativë për të ndalur Betegan.
Pse quhen “Orange” portokallinjtë
“Tulipanët” ose “portokallinjtë” janë të famshëm për fanellën e tyre me këtë ngjyrë. Portokallia është ngjyra kombëtare e Holandës, e cila origjinën e ka prej ngjyrës së veshjeve të ushtrisë së themeluesit të Monarkisë në këtë vend, Princit Uilliam i Portokallisë (Willem van Oranje). Dikur edhe pjesa e sipërme e kuqe e flamurit të Holandës ishte ngjyrë portokalli. Fanella e dytë e kësaj kombëtareje është e bardhë, por me vijat kuqeblu që ruajnë identitetin e flamurit. Holandezët e konsiderojnë të shenjtë ngjyrën e vendit të tyre, ashtu si simbolin e lules së tulipanit, duke qenë vendi më i madh kultivues dhe eksportues i lules së bukur shumëngjyrëshe.
Shnajder, “ndihmësi” i Van Galit
Uesli Shnajder nuk e mendon që tani pensionin, por gjatë një deklarate për “Algemeen Dagblad” ai tha se edhe e ardhmja e tij do t’i përkasë trajningut. Madje fantazisti i Gallatasarajit e ka nisur që tani punën për t’u bërë një teknik i zoti, duke ndihmuar dhe Van Galin me informacionet e grumbulluara: “Mbaj gjithçka shënim nga stërvitjet dhe e bëj këtë prej disa vitesh për t’i hedhur më pas informacionet në kompjuter. Dua të mësoj shumë ende pa i varur këpucët në gozhdë. Madje do bëj edhe një kurs me Zhoze Murinjon. Ai është trajneri që dua t’i ngjaj, por sigurisht në mënyrën time. Kam punuar me shumë trajnerë të zotë dhe do më vinte keq po të mos mësoja prej tyre”.
“Tulipanët” nuk do shkojnë larg
Bastexhinjtë nuk kanë shumë shpresa te tri herë finalistët e Botërorit. Me një rivale si Spanja në grup, por edhe me Kilin dhe Australinë, Holanda parashikohet si skuadra e dytë e mundshme për t’u kualifikuar në 1/8-at pas kampionëve të Botës. Por me Brazilin, i cili mund të jetë kundërshtari që i pret në këtë fazë, parashikohet që ata të mos shkojnë larg. 2.25 është koeficienti që skuadra e Van Galit të kalojë fazën e grupeve, 2.5 ai që kalojnë fazën e 1/8-ave, ndërsa kualifikimi në çerekfinale vlerësohet me 6. Koeficienti për shkuarjen e europianëve në gjysmëfinale është 9. Kush mendon se ata do jenë sërish finalistë kuotohet me 16, ndërsa me 35 që do shpallen kampionë bote.
ARRITJET
PJESËMARRJET NË BOTËRORË
9 (1934, 1938, 1974, 1978, 1990-1998, 2006, 2010)
POZICIONIMET MË TË MIRA
Finalistë (1974, 1978, 2010)
BILANCI
43 ndeshje, 22 fitore, 10 barazime, 11 humbje; 71 gola të shënuar, 44 gola të pësuar
SHËNUESIT MË TË MIRË NË KUPËN E BOTËS
Rep (7 gola), Bergkamp dhe Rensenbrink (6 gola), Shnajder dhe Neskens (5 gola)
LOJTARËT ME MË SHUMË PREZENCA NË KUPËN E BOTËS
Krol, Rep dhe Jansen (14 ndeshje), Han dhe Rensenbrink (13 ndeshje)
TRAJNERËT ME MË SHUMË PREZENCA NË KUPËN E BOTËS
Mishels, Hapel, Hidink dhe Van Marvijk (7 ndeshje)
SI ËSHTË KUALIFIKUAR SIVJET
Vendi i parë në Grupin D, me një biletë që u pre me 9 fitore dhe vetëm një barazim kundër Estonisë.
STATISTIKAT E PËRFAQËSUESES
Pjesëmarrjet e para të Holandës në Botëror datojnë në turneun e dytë “Itali 1934″ dhe “Francë 1938″, të cilat përfunduan me të njëjtin rezultat për “tulipanët”: të eliminuar menjëherë pas ndeshjes së parë. Ata që i larguan holandezët ishin respektivisht Zvicra dhe Çekosllovakia. U deshën të kalonin 36 vite përpara se kombëtarja portokalli të rikthehej sërish në Botëror, por tashmë ishte një tjetër histori: Skuadra e udhëhequr nga Johan Krujfi dha spektakël në “Gjermani 1974″, duke u dorëzuar vetëm në finalen e Mynihut me Gjermaninë Perëndimore. Organizatorët e turneut i bënë një surprizë të pakëndshme Holandës edhe 4 vite më vonë: kësaj radhe ishte Argjentina ajo që i prishi ëndrrën europianëve dhe sfumoi futbollin e tyre total. Një tjetër xhiro bosh deri në “Itali 1990″, kur Holanda kampione Europe në fuqi me Gulit dhe Van Basten, nuk shkoi më shumë se 1/8-at, e mundur edhe një herë nga Gjermania Perëndimore. Ishte Brazili skuadra që i eliminoi në çerekfinalet e “SHBA 1994″, ndërsa 4 vite më vonë në Francë, shpresa e një tjetër finaleje u shua nga penalltitë: turneun e mbyllën në vend të katërt, pasi mundën Kroacinë në finalen e vogël. Nuk u kualifikuan në Botërorin e 2002-shit, ndërsa iu dorëzuan Portugalisë në 1/8-at në “Gjermani 2006″. Shkuan shumë më mirë në Afrikën e Jugut më 2010-n, por trofeu i parë në finalen e tretë, mbeti sërish një ëndërr e shuar nga Spanja.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





