Holanda kundërshton vlerësimet e raport-progresit të Komisionit Europian në lidhje me Shqipërinë. Në qëndrimin zyrtar të qeverisë së këtij vendi anëtar të Unionit Europian kushtëzohet dhënia e statusit kandidat me fushat e sundimit të ligjit, luftën kundër krimit e korrupsionit dhe organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare të vitit 2013. “Komisioni rekomandon që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat kur të arrijë edhe disa ligje.

Kabineti kundërshton, këtu Komisioni tejkalon vetveten. Shqipëria, ashtu si dhe të tjera vende me një perspektivë anëtarësimi, duhet të tregojë më shumë përsa i përket reformës në drejtësi, trajtimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme. Duhet historik rezultatesh!”,- thuhet në qëndrimin zyrtar të Hollandës. Pasi ka shqyrtuar gjetjet e raport-progresit të 10 tetorit, në dokumentin që i drejtohet parlamentit holandez, renditen fillimisht rekomandimet e Komisionit, të ndara veçmas për statusin, e për negociatat për anëtarësim. 

“Komisioni i rekomandon Këshillit që t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, me kusht që Shqipëria brenda periudhës së ardhshme të përmbushë disa kushte që qëndrojnë pezull, që lidhen me ligjin e Gjykatës së Lartë dhe Administratës publike si dhe me ndryshimin e rregullores së Kuvendit. Komisioni mendon se negociatat për anëtarësim mund të hapen vetëm kur Shqipëria të zbatojë në mënyrë të qëndueshme të gjitha reformat e nisura dhe të gjitha kushtet e paplotësuara, mes të cilave organizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme parlamentare”. 

Sipas qeverisë holandeze, e cila njeh progresin e bërë në disa fusha, vetëm miratimi i disa ligjeve nuk mjafton që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat. 

“Kabineti konstaton, në bazë të të dhënave të veta, se Shqipëria ka bërë përparim sidomos në miratimin e ligjeve dhe përmirësimin e funksionimit të parlamentit. Por Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë për të bërë dhe duhet të tregojë se legjislacioni i miratuar duhet të zbatohet në terren, dhe në këtë kuadër vendi duhet të ndërtojë një historik arritjesh pozitive. Në këtë moment, rezultatet në pjesën më të madhe të fushave thelbësore janë ende të pamjaftueshme. Këtu bëhet fjalë, mes të tjerash, për forcimin e sundimit të ligjit, për adresimin e pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit në të gjitha nivelet, luftën kundër krimit të organizuar dhe reformimin e administratës publike. Kabineti për këte arsye nuk mund të jetë dakort me propozimin e Komisionit që t’i japë Shqipërisë statusin kandidat në bazë të rezultateve të arritura”. 

Në dokumentin që analizon strategjinë e zgjerimit me të gjitha vendet aspirante, qeveria holandeze vlerëson se Komisioni Europian është treguar më kritik se ç‘duhet ndaj Kroacisë dhe më dorëlëshuar ndaj Shqipërisë. Ky qëndrimi i qeverisë holandeze pritet që sipas procedurës të konsultohet me Komisonin për çështjet europiane të parlamentit holandez, më 27 nëntor, para se qeveria të shprehë qëndrimin e saj përfundimtar në këshillin e BE-së në muajin dhjetor.