Brazil, 23 qershor 2014 – Me Holandën dhe Kilin të kualifikuara për në 1/8 në grupin B, gjithçka luhet tashmë për vendin e parë, që mund të evitonte përplasjen me Brazilin në raundin pasardhës. Portokallinjtë, të cilët vuajtën disi në ndeshjen e fundit me Australinë do të kenë ndryshime të rëndësishme në formacion në prag të përballjes me amerikano-jugorët në Sao Paolo.
Van Persie do të mungojë për shkak të kartonëve, duke e penalizuar disi trajnerin Van Gaal që do të dëshironte t’i kishte të gjithë të gatshëm për shkak se fitorja është një rezultat që kërkohet nga Tulipanët. Në vend të sulmuesit të Manchester United me shumë gjasa do të luajë Jan Klaas Huntelar. Kili, ka qenë deri në këto momente surpriza e këtij kompeticioni, teksa nxori jashtë Spanjën, pas suksesit 2-0 në ndeshjen e dytë në grup. Një mbështetje të madhe do të jetë nga tifozeria kiliane për këtë sfidë, pasi dhe ekipi i Sampaolit synon ta evitojë Selesaon në 1/8, që i ka eliminuar dy herë në këtë fazë, në 1998 me rezultatin 4-1 dhe në 2010 me rezultatin 3-0. Vidal dhe autori i golit të dytë me iberikët, Aranguiz mund të mos jenë të gatshëm pasi kanë munguar në stërvitje për probleme fizike ndërsa po mendohet që në mesfushë të luajë Carlos Carmona.
Përballja tjetër e grupit mes Spanjës dhe Australisë duket sikur është një ndeshje mes dy ekipeve që kërkojnë të hedhin sa më shpejt pas krahëve këtë Botëror, mbi të gjitha Kampionët në fuqi të Spanjës, që përfliten se kanë jo pak probleme dhe brenda dhomave të zhveshjes. Sigurisht që Del Bosque synon të mbyllë të paktën me nder këtë Botëror dhe fitorja me Australinë është një rezultat që ai e kërkon, ashtu si dhe “Kangurët” për të cilët një frenim i “La Furia Roja” do të ishte mëse i mjaftueshëm për ta quajtur të suksesshëm këtë Botëror.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





