Brazil, 14 qershor 2014 – Holandezi fluturues. Me dopietën në fitoren e pabesueshme 5-1 të Holandës kundër Spanjës, Robin van Persie është kthyer në hitin e momentit në faqet e internetit, i ka pushtuar të gjitha falë golit të parë që shënoi fluturimthi në portën e kampionëve të botës. Eshtë ky goli që shtangu Iker Casillas dhe i la të gjithë gojëhapur sepse këtu u ngul gozhda e parë në kryqëzimin e La Rojas.
Herë si supermen e herë si ëngjëll, nuk mungon aspak fantazia për bomberin me krahë të Manchester United. Madje holandezi në një nga fotot që po bëjnë xhiron në rrjetet sociale, sfidon edhe statujën e Jezu Krishtit në Rio, duke qëndruar sipër tij, si për të treguar se vetëm qielli është limiti për idhullin e tifozëve tulipanë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





