GJIROKASTER, 28 mars 2013- Gjatë një vizite të bërë ditën e sotme në qytetin e Gjirokastrës, ku mori dhe titullin “Qytetare Nderi”, ambasadorja gjermane, Carola Holtkemper, ka thënë se Shqipëria nuk ka ende një shtet ligjor, i cili është një pikë e fortë e kritereve të BE-së. 

E pyetur për situatën parazgjedhore në vend, ambasadorja tha se ka ende situatë të tensionuar, teksa i ka bërë apel palëve që të prezantojnë programe në të mirë të vendit. 

Një çështje tjetër, për të cilën ajo komentoi ishte edhe propozimi i kryeministrit Berisha për të ulur moshën e votimit. 

Holtkemper tha se nuk e sheh si problematike çështjen e votimit të 16-vjeçarëve, pasi sipas saj çdo shoqëri ka të drejtën e ndryshimit të Kushtetutës, por për Shqipërinë është shumë vonë që ta bëjë këtë ndryshim.