TIRANE – Shqipëria nuk do ta kishte marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, edhe sikur të ishin miratuar të shumëdebatuarat tre ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament, reforma parlamentare, ligji për Gjykatën e Lartë dhe ai për nëpunësin civil. Deklaratën e ka bërë ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, Karola Muller-Holtkemper, në një emission në News 24.  

Diplomatja shpjegon mjaft qartë se edhe rekomandimi i Komisionit Europian i tetorit nuk kufizohej vetëm tek këto tre ligje, mosmiratimi i të cilave ka thelluar debatet mes mazhorancës dhe opozitës. Ambasadorja thekson se BE-ja kërkon nga Shqipëria të tregojë zbatim të këtyre ligjeve përveç se miratimin e tyre. 

Në intervistë ambasadorja foli edhe për problemet qe ka hasur Banka Gjermane KFW me linjën e interkonjeksionit me Kosovën dhe linjën e jugut, emërimin e kryeprokurorit të ri Adriatik Llalla, retorikat nacionaliste të kohëve të fundit por edhe përgjigjet për deklaratat e gjykatësit Fejzo Hysi sipas se cilit, Ilir Xhakja, personi i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, u lirua pas një letre të Ambasadës Gjermane dërguar gjykatës.