Gjeneral Bradley A. Becker, Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Amerikane së Distriktit Ushtarak të Washington-it, priti kryeministrin Edi Rama, gjatë një ceremonie nderi të Forcave të Armatosura të Vendosjes së Kurorës me Lule në varrin e ushtarit të panjohur në Arlington, Varrezat Kombëtare.
Këtë moment, Rama e cilësoi si “Një emocion të fortë, një vend unik, një moment krenarie si kryeministër i Shqipërisë”.
“Jam thellësisht i prekur nga këto homazhe dhe solemniteti i jashtëzakonshëm i një ceremonie të tillë. Sigurisht jam krenar që si kryeministër i Shqipërisë me jepet mundësia që përmes kësaj pjese të vizitës sonë zyrtare në Washington, të dëshmojmë respektin më të thellë për heronjtë e këtij vendi të madh dhe njëkohësisht, përmes kësaj dëshmie të rikonfirmojmë miqësinë, partneritetin dhe sigurisht, gatishmërinë tonë për të qenë në krah të SHBA-së në çdo sfidë të përbashkët, si anëtarë të NATO-s dhe si partnerë strategjikë”, tha Rama pas homazheve, në një nga çastet më të ndjera të ditës.
Ceremonia e vendosjes së kurorës u mbajt në nder të vizitës zyrtare së Ramës në SHBA. Lideri i qeverisë ishte i shoqëruar në këtë ceremoni nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.





