21 janar 2014 – Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij të mbajtur në ceremoninë përkujtimore për 21 janarin dhe katër protestuesit e vrarë në bulevard është shprehur se 21 janari ishte një pushkatim pa gjyq në mes të popullit, e ndonëse shumë gjëra sot kanë ndryshuar nga ai 21 janar e vetmja që nuk ka ndryshuar është drejtësia. Kryeministri Edi Rama tha se reformimi i sistemit të drejtësisë do t’i hapë rrugë vendosjes së drejtësisë në vend, edhe për çështjen e 21 janarit.   “21 janari 2011 la shenja për të gjithë ata që ishin aty atë ditë. Shenja për të gjithë shqiptarët e gjeneratave të tjera do ti prekin me sy ato shenja, si plagët e një ngjarje që nuk duhet të përsëritet më kurrë. Harresa nuk duhet të jetë alternativa jonë përballë drejtësisë. Ne nuk u votuam për të zëvendësuar një qeveri me një tjetër, por për të ndryshuar rrënjësisht mënyrën e sjelles së qeverisë me qytetarët e këtij vendi. Kjo godinë nuk është më fasada ku dilnin tytat e armëve për të qëlluar mbi njerëzit në emër të pushtetit të vjetër, por qeveria e zgjedhur nga njerëzit punon me njerëzit dhe për njerëzit.   Ky bulevard nuk është kufiri i frikës, dhe qytetarët protestojnë pa frikë. Ne s'mund të harrojmë se mandati ynë do t’i japë kuptimin e duhur fjalës drejtësi, dhe për të luftuar me çdo mjet kushtetues dhe ligjor, që e drejta të bëjë drejtësi, që njerëzit të jetë të barabartë përpara drejtësisë, që e drejta mos të blihet në dyert e prokurorive. Një nga gjërat që nuk ka ndryshuar për Shqipërinë në mes të Evropës, në rrugë drejt BE, është ferri i sistemit të sotëm të drejtësisë. Mes organeve të drejtësisë dhe të kapurve me presh në duar, me një sistem drejtësia që jo vetëm Shqipëria dhe bota e sheh si një kërcënim për demokracinë. Kjo gjë duhet ndryshuar shpejt, referma e drejtësisë do t’i japë zgjidhje kësaj situate. Shqiptarët e kërkojnë këtë me ngulm, edhe bota e kërkon këtë nga Shqipëria, dhe parlamenti ka për detyrë ta bëjë këtë. Vendosja e drejtësisë në binarë, është ultimatum i popullit”, u shpreh Rama.