15 korrik 2015 – U zhvillua paraditen e sotme ceremonia e rivarrimit të eshtrave të Dëshmorit të Atdheut Agron Zaim Dragoj. Ceremonia nisi në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku familjarë të dëshmorit, qytetarë dhe të njohur të shumtë zhvilluan homazhe në respekt të veprës së tij.
Gjithashtu ceremoninë e nderuan me pjesëmarrjen e tyre përfaqësuesit më të lartë të pushtetit vendor në Durrës, kryebashkiaku Vangjush Dako, Prefekti i Qarkut Roland Xhelili dhe kryetari i Këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj. Po ashtu një kurorë me lule pranë eshtrave të dëshmorit u vendos edhe në emër të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ceremonia më pas u zhvendos drejt Mauzoleumit të Dëshmorëve të Atdheut, atje ku dhe do të prehen përgjithnjë eshtrat e dëshmorit Dragoj.
Dëshmori i Atdheut Agron Dragoj u lind në prill të vitit 1974 në fshatin Zhepovë të Përmetit. Studimet e para dhe ato të mesme i kreu në vendlindjen e tij. Në shkurt të vitit 1995 emërohet si nënoficer pranë bazës së flotës sonë detare. Në korrik të vitit 1997 shkon në vendlindje ku në mbrojtje të disa tregtareve të vegjël që sulmoheshin nga keqbërës të zonës, vritet pabesisht nga dora kriminale e bandave të asaj kohe.
Komisioni Qendror për statusin e Dëshmorëve të Atdheut pranë Ministrisë së Mbrojtjes me vendim Nr. 572 datë 07.03.2012, nderon Agron Zaim Dragoj me titullin e lartë Dëshmor i Atdheut .
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





