18gusht 2015 – Personazhi i mbi 110 roleve në kinematografi e teatër, Albert Vërria po nderohet nga miqtë, kolegët e artdashësit në qytetin e Vlorës. Homazhet kanë nisur në orën 11:00 në hollin e teatrit “Petro Marko”. I famshmi “Kapedani” ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme, në moshën 79-vjeçare, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. I ikur fizikisht, por vepra e tij është skalitur në histori, me rolet e pazëvendësueshëm.

Nga viti 1963 dhe deri në 1991, kur doli në pension, Artisti i Popullit Albert Verria ka luajtur në 110 role të ndryshme në teatër, variete, seriale të ndryshme televizive dhe në kinematografi, pa lënë mënjanë edhe rolin si regjizor në disa shfaqje të ndryshme. Rolet e Vehipit tek “Familja e peshkatarit” në 1963, të fajdexhiut tek drama “Rrenjët” e Kujtim Spahivoglit në 1969, Halil Shkoza tek “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit, etj, janë nisjet e para të roleve, që përvijuan Albert Verrinë si aktor i përmasave të mëdha, që shumë shpejt u pranua dhe u afirmua nga publiku.

Ishte vetëm 32 vjec në vitin 1972 kur interpretoi rolin e kapedanit Sulo tek filmi “Kapedani”, që e vendosi në rreshtin e parë të artistëve të mëdhenj shqiptarë. Me rolet e tjerë si “Hiluku” tek Operacion Zjarri” [1973], “Soll Lili” tek  “Agimet e stinës së madhe”, Kaporal Pelegrini tek “Në fillim të verës” -1975, Nuri Beu tek “Koncert në vitin 1936”-1978, Kopi tek filmi “Rrethimi I vogël”-196, etj, janë të tjerë role, që e bëjnë të njohur në mbarë trevat shqipfolëse artistin e Popullit Albert Verria.  

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/