BRITANI-Një ceremoni përkujtimore është mbajtur në spitalin King Edward, në Britani, për infermieren e dukeshës së Kembrixhit, që vrau veten për shkak të shakasë së radios australiane, prezantuesja e të cilës imitoi mbretëreshën e Britanisë.

Jacintha Saldanha u gjet e vdekur të premten e kaluar, tre ditë pasi mori telefonatën nga prezantuesit e radios australiane. Një memorial i ngjashëm u mbajt edhe nga banorë të komunitetit të së ndjerës, në Bristol.

Ndërkohë, spitali ka mbrojtur veprimet e tij pasi gazeta “The Guardian” raportoi se Saldanha kishte kritikuar stafin në një prej letrave të saj të shkruara para vetëvrasjes.

Një zëdhënëse tha se të ndjerës i ishte dhënë mbështetje nga stafi drejtues. Drejtori ekzekutiv i spitalit John Lofthouse tha:

“King Edward është një spital i vogël, por me një ekip të mirëspecializuar. Të gjithë e njihnin Jacinthan dhe të gjithë ne jemi të tronditur nga vdekja e saj tragjike”.

“Kjo ceremoni ishte një mundësi për të gjithë për t’i shprehur asaj respektin dhe për ta kujtuar si një kolege të dashur”, shtoi drejtori.

Zonja Saldanha, 46 vjeçe, bashkëshorte dhe nënë e dy fëmijëve, ia kaloi telefonatën e 4 dhjetorit një kolegu që më pas dha detaje të përditësuara mbi gjendjen e dukeshës Kate Middleton.

Kjo e fundit, që është në fazat e para të shtatzanisë, po trajtohej në spital për shkak të disa problemeve të vogla që kishte pasur.