Janë mbajtur sot homazhet në Tiranë në nderim të Ismet Bellovës, zërit legjender komentimit të ndeshjeve të futbollit që u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 91-vjeçare.

Pas homazheve që u mbajtën nga ora 10:00 në hollin e RTSH-së, ai u përcoll për në banesën e fundit.

Ndarja nga jeta e Ismet Bellovës është një humbje e madhe për sportin dhe median shqiptare. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë te brezat që edukoi, te dëgjuesit që e ndoqën dhe te historia e sportit shqiptar, ku emri i tij zë një vend nderi.

Kush ishte Ismet Bellova?

Bellova e nisi rrugëtimin e tij në sport herët, që në vitin 1948, kur u shpall edhe kampion i vendit për të rinj në pingpong. Emri i tij u bë pjesë e historisë së transmetimeve sportive shqiptare më 29 nëntor 1950, me komentimin e ndeshjes Dinamo – Partizani 1–0, finalja e Kupës së Shqipërisë, duke shënuar fillimin e një karriere të gjatë në Radio Tirana.

Për kontributin e jashtëzakonshëm në sport, arsim dhe gazetari, ai u nderua me tituj e dekorata të shumta, ndër të cilat: “Mësues i Popullit”, Urdhrin “Naim Frashëri” Klasi I dhe të Artë, Urdhrin e Punës Klasi I, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, “Mirënjohja e Tiranës”, “Nderi i Sportit Dibran”, si dhe titullin “Kalorësi i Urdhërit të Flamurit”.