21 nëntor 2013- Sot në orën 11:00 tek Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillohet ceremonia e homazheve për deputetin Sokol Olldashi, i cili humbi jetën mbrëmjen e se mërkurës në një aksident tragjik në aksin rrugor Tiranë –Elbasan. Ndërkohë në orën 14:00 është parashikuar të zhvillohet ceremonia e përcjelljes së trupit drejt banesës së fundit.Deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi ka humbur jetën mbrëmë në një aksident të ndodhur në aksin Tiranë-Elbasan, pasi automjeti me të cilin udhëtonte ka rënë në greminë. Reshjet e shumta të shiut dyshohen të kenë sjellë devijimin nga rruga të automjetit Benz i zi, me targa AA003NH.Aksident automobilistik ishte shënuar në zonën e njohur si Lapidari i Kërrabës. Makina ka rënë nga një lartësi e madhe rreth 20 metra, ndërsa është paraqitur vështirësi në nxjerrjen e trupave. I pari që njoftoi sallën operative ishte deputeti i PD-së, Igli Cara. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit për shkak të shiut të dendur. Policia sqaron se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin pasi reshjet e dendura të shiut e kanë penguar të shohë rrugën dhe si pasojë ka përfunduar në greminë. Terreni ku është rrëzuar automjeti është tepër i vështirë. Familjarët e Olldashit mbërritën në Spitalin Ushtarak dhe dhimbja e madhe lexohej qartë në sytë e tyre.Enkeleda Olldashi, bashkëshortja e deputetit de-mokrat, duket se nuk e ka besuar dot lajmin se Sokol Olldashi kishte ndërruar jetë në aksident. Ajo ka dashur të shohë me sytë e saj gjithçka që kishte ndodhur dhe ka udhëtuar drejt vendit të ngjarjes sapo ka marrë vesh lajmin tragjik. E shoqëruar nga dy të afërm të saj, bashkëshortja e Olldashit nuk ka pranuar që të vëzhgojë në distancë veprimet e Policisë, por është afruar deri afër vendit të ngjarjes për të vërtetuar dyshimin e saj. Më pas, kur ka mësuar të vërtetën tragjike, është shoqëruar për t’u larguar nga aty, për shkak se policia po punonte për të nxjerrë trupin e deputetit 41-vjeçar. Enkeleda Olldashi, e shoqëruar nga dy të afërmit e saj, u largua nga vendi i ngjarjes, vetëm pak minuta para se autoambulanca me trupin e bashkëshortit të saj të nisej drejt morgut.
Dhjetëra vetë u mblodhën në Spitalin Ushtarak. Deputetë të Kuvendit shqiptar, funksionarë të Partisë Demokratike, miq e të afërm të Sokol Olldashit, të gjithë të tronditur për lajmi. Shkëlzen Berisha, Ilir Beqaj, Glori Husi, Vangjel Tavo, Genc Ruli, Petrit Vasili ishin gjithashtu jashtë morgut. Trupi i deputetit të PD-së u çua në morg, ku iu nënshtrua ekspertizës të ekspertëve të Mjekësisë Ligjore. Sokol Olldashi u nda i ri nga jeta, në dhjetor ai do të mbushte 41 vjeç.





