Homazhet për shkrimtarin Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta ditën e sotme, mësohet se do të mbahen ditën e mërkurë, rreth orës 11:00.
Bëhet me dije se ceremonia do të kryhet nga institucionet shtetërore, konkretisht nga Kryeministria.
Aktualisht trupi i Kadaresë ndodhet në ambientet e një agjencie funerale në kryeqytet.
Ismail Kadare, shkrimtari i mirënjohur është ndarë nga jeta mëngjesin e ditës së sotme në moshën 88-vjeçare.
Ai konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, ku shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij është shtrirë edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.
Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Kadare është nominuar 15 herë për çmimin Nobel në Letërsi, ndërsa është nderuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.
Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të mëdhenj të shekujve 20 dhe 21, dhe si një zë universal kundër totalitarizmit.