I pranishëm në homazhet për nëntetaren e vrarë në krye të detyrës, Zarife Hasnaj, krryeministri Edi Rama shprehu ngushëllimet për familjen e dëshmores. Në fjalën e tij të lamtumirës Rama tha se e ka të vështirë të gjejë fjalë që mund të ngushëllojnë familjen e dëshmores.
Teksa theksoi se përpikmëria ishte tipari dallues i Zarifes, Rama tha se ajo dëshmorja është e para vajzë shqiptare e Forcave të Armatosura që humbi jetën në krye të detyrës.
“Është e vështirë të gjej fjalët për ushtaraken, të ndjerën Zarife Hasanaj, këtu në sytë e prindërve të saj që në vend se me fustanin e nusërisë në pragun e derës, në krahë të dhëndrit po e përcjellin vajzën e tyre mbështjellë me flamurin kombëtar në krah të shokëve të saj të FARSH; në praninë e 2 motrave, vëllait të saj, pranë prindërve e rrethit familjar ndiejnë boshllëkun e pangushëllueshëm; në praninë e shokëve dhe shoqeve të saj lidhur në besën e atij flamuri që na jep nderin dhe emrin shqiptar për të cilin FARSH është betuar të sakrifikojë edhe jetën në mbrojtje të atdheut dhe amanetit që atdheu e ka të shkruar në pëlhurën kuq e zi ku është mbështjellë trupi i dëshmores më të re të Republikës. Detyra e kërkon që sidoqoftë fjalët të gjenden dhe të thuhen dhe përulësisht i shpreh ngushëllimet më të ndjera si kryeministër i Shqipërisë, si qytetar i kësaj republike dhe si prind e vëlla i prindërve, motrave, vëllait dhe gjithë të afërmve të vajzës e cila tanimë i përket të gjithë atyre që ikën dhe do të vijnë në këtë botë me gjakun dhe emrin shqiptar. Vajza e mbështjellë me flamurin e atdheut është sot mishërimi tronditës i të vërtetës të besnikërisë ndaj atdheut që e kanë krijuar dhe e krijojnë përditë ne kryerjen e misionit të saj qenien e patjetërsueshme e pazëvendësueshme të Forcave të Armatosur të Republikës. Zarife Hasanaj u bë pjesë e FA-ve 11 vjet më parë. Në 2013 ka marrë gradën nën tetare. Gjithçka që dëgjova ishte përpikmëri, ishte e përpiktë në detyrë, kërkonte përpikmëri. Sot flamuri është në gjysmë shtizë për të nderuar të parën vajzë në historinë e FA-ve që ndahet nga jeta për shkak të detyrës. Dhe nën flamurin kuqezi do të bëjë rrugëtimin e fundit për t’u ndalur përjetë në varrezat e dëshmorëve të kombit. Mbi kryet e saj do të jetë nëna Shqipëri, ndërsa ne të tjerëve nuk na mbetet asgjë tjetër vetëm ta kujtojmë sa të rrojmë me të gjitha ata që u ndanë nga kjo jetë për t’u kthyer në pjesë të altarit të atdheut. Ta kujtojmë jo vetëm në datat e caktuara kushtuar dëshmorëve por duke u përpjekur të mos e harrojmë në të përditshmen tonë, amanetin e tyre për Shqipërinë. U prehtë në paqe mes më të mirëve të këtij dheu dhe na ndriçoftë bashkë me ta në çdo hap të rrugës sonë drejt së nesërmes", tha Rama.





