Portugali, 14 qershor 2014 – Francesko Piroci (Francesco Pirozzi), një 29 vjeçar italian me profesion arkeolog arriti të përmbushë ëndrrën e jetës së tij vetëm në Portugali. Francesko ishte dashuruar me Eugjenin, një infermier shqiptar, 36 vjeçar, i lindur në Durrës. Për 8 vjet me rradhë, çifti homoseksual bashkëjetuan mrekullisht në Bolonja. Më pas vendosën të zbresin në Potenca ( Potenza), kryeqendra e rajonit të Bazilikatës, në jug të Italisë, ku jeton edhe familja e Franceskos. Në Bolonja komuniteti Gay është shumë krenar dhe publik, ndërsa në Potenza, të qënit homoseksual, është një fakt relativisht problematik, sepse banorët ende nuk janë të emancipuar aq sa duhet.
Çifti vendosi ta kurorëzonte këtë dashuri më shumë se 8-vjecare me martesë. Fatkeqësisht Italia është një nga vendet e pakta evropiane, që ka ngelur mbrapa, përsa i përket të drejtave të homoseksualëve, veçanërisht të drejtës për martesë. Madje edhe Shqipëria, vend ekstrakomunitar, nën qeverinë e re në Tiranë, po lëviz në drejtimin e duhur për të drejtat e çifteve gay.
Për të plotësuar ëndrrën e jetës, çifti italo – shqiptar detyrohet t’i drejtohet Portugalisë, ku lejohen martesat e çifteve gay apo lesbike. Atyre ju është dashur të shkojnë disa herë në Portugali për të kryer praktikat burokratike, duke shpenzuar, kohë, para e lodhje. Për të përmbushur praktikat burokratike ju drejtuan ambasadave shqiptare dhe italiane në Gadishullin Iberik. Për partnerin shqiptar praktika ishte më e vështirë, sepse ligji shqiptar për martesën e një shqiptari me të huaj kërkon lejen paraprake të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjë që bëhet me prezencën e personit të interesuar në zyrat e kësaj ministrie në kryeqytetin shqiptar.
Në ceremoninë e dasmës, nuk morën pjesë prindërit e Eugjenit, kështu që si dëshmitarë martese për çiftin shërbeu babai i Franceskos dhe një mik i tij. Çifti i sapo martuar nuk do ta bëjë muajin e mjaltit në Portugali. Po sot (të shtunën) do të kthehet në Potenca, sepse siç shprehet Francesko, duan të ndjekin edhe Botërorin e futbollit. Pas mbarimit të kampionatit ka shumë mundësi, që muajin e mjaltit ta bëjnë në SHBA. Çifti shqiptaro – italian, madje është shndërruar në aktivistë të kauzës së homoseksualëve në Potencën e prapambetur në jugun e thellë të Italisë. Prej pak kohësh, ata kanë ngritur në Potenca një shoqatë homoseksualësh të quajtur “Circolo dell’Arcigay Potenza “.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/






