6 janar 2015 – Honda ndryshon ngjyrën e McLaren që tashmë duhet të heqë dorë edhe nga nofka "Shigjeta e Argjendtë". Skuadra britanike e Formula 1 do të punojë me motorin e skuadrës japoneze duke filluar që nga ky sezon por shtëpia nipone e prodhimit të makinave ka vendosur edhe disa kushte për këtë bashkëpunim.
Njëri prej tyre është ndryshimi i ngjyrës së njëvendëshes që do të drejtohet nga dyshja Alonso-Button. E argjendta e kromuar është braktisur nga drejtuesit me qëndër në Woking pas plot 18 viteve me këtë ngjyrë. Alonso dhe Button do të vishen me portokalli dhe të bardhë, dy ngjyrat simbol të McLaren dhe Hondas. Por nëse shigjetat e argjendta largohen nga McLaren, tashmë me këtë nofkë mund të thirren makinat Mercedes, sepse skuadra gjermane rikthen ngjyrën e kromuar duke zgjedhur koloritin "Kromo". Edhe pse në qarkullim nuk do të ketë më gri dhe të errët, Honda ka menduar që McLaren të jetë një makinë e paraqitshme. Projekti nuk është finalizuar ende, por tifozët e skuadrës britanike duhet të mësohen me idenë se, tashmë kohët kanë ndryshuar dhe 18 vitet e shigjetave të argjendta nuk ekzistojnë më.





