Një ngjarje e rëndë shokoi dje Kosovën. Një 35-vjeçar nga Shtërpca e Kosovës ka shkuar deri në marrëzi sa ka vrarë me thikë foshnjën e tij vetëm 40 ditëshe dhe ka plagosur binjakun tjetër. Koha.net shkruan se autori i dyshuar i ngjarjes makabre, Dejan Krstiçiq, profesor i Edukatës Fizike në Shkollën e Mesme të Shtërpcës, ka pohuar para grupit hetimor të çështjes se i ishin errur sytë dhe nuk e kishte kuptuar se çfarë kishte bërë.

Sipas të dhënave të para nga policia, krimi ka ndodhur mbrëmë, pas një grindjeje midis bashkëshortëve, Dejanit dhe bashkëshortes së tij Anës.

“Dejani ka marrë thikën dhe në momentin e tensionit ka qëlluar në gjoks njërin nga binjakët 40 ditësh. Ai ka vdekur rrugës për në Llaple Sellë, përkatësisht Graçanicë. Pastaj ai është përpjekur të therë edhe fëmijën tjetër, por e ka penguar bashkëshortja, megjithatë ia ka dalë ta plagosë në qafë edhe tjetrin”, shkruajnë mediat serbe, transmeton Koha.net.

Binjaku i dytë i plagosur ka arritur gjallë në Graçanicë prej nga është transportuar në Nish dhe raportohet se edhe gjendja e tij është e rëndë, por jashtë rrezikut për jetë. Krstiçiq është arrestuar shpejt pas krimit dhe në deklaratat para hetuesve ka thënë se ka pasur një grindje me bashkëshorten, gjoja ka dashur ta frikësojë dhe pastaj i “i janë errësuar sytë dhe nuk i kujtohet më asgjë”. Ai me gruan, që ishte nga rrethina e Shtërpcës, theksohet se jetonin në shtëpi familjare bashkë me prindërit e tij. Ngjarja ka tronditur fqinjët dhe bashkëqytetarët. Thonë se Dejani ishte dukur njeri i qetë dhe familjar.