Në Orlando, Florida, mbrëmë  në darkë rreth orë 21:30 u dha alarmi se një fëmijë 2 vjeç u zhduk. Ngjarja ka ndodhur në “Disney World” në “Seven Seas Lagoon” pranë një sheshi lojërash, ku sipas policisë vendase, fëmija është zvarritur në ujë nga një aligator.

Kërkimet vazhdojnë ende dhe janë mobilizuar mbi 50 policë e dy helikopterë. Ndërsa babai i vogëlushit ka deklaruar se ka hyrë në ujë dhe është përpjekur që ta shpëtojë, por ishte e pamundur.

“Grand Floridian” është një vendpushim luksoz në pronësi të “Disney” dhe është e vendosur në afërsi të “Magic Kingdom Park”. Një zëdhënës i “Disney”-t ka deklaruar se kompania është “shkatërruar nga ky incident”.

Zyrtarët e kafshëve të egra në këtë vend janë shprehur se aligatorët jetojnë në të gjithë Floridën dhe janë pjesë themelore e zonave të lagunave, moçaleve, lumenjve dhe liqeneve.

Ata kanë shtuar se që nga viti 1948, rreth 22 persona kanë humbur jetën pasi janë vrarë nga aligatorët.