Itali, 5 maj 2014 – Është gjetur e zhveshur dhe e lidhur në një tra horizontal që pengonte qarkullimin e automjeteve në një zonë periferike të Firences.
Sipas hetuesve, viktima i kishte krahët të hapur dhe të lidhur sikur të ishte e kryqëzuar. Ngjarja e rëndë, që ka tronditur gjithë komunitetin e zonës është zbuluar nga një kalimtar, që kishte dalë të bënte një shëtitje rreth orës 06.30. Sapo ka parë trupin, ai ka njoftuar menjëherë policinë, e cila ka nisur hetimet për të zbuluar gjithë dinamikën e ngjarjes.
Sipas hetimeve të para, dyshohet se vajza mund të jetë një prostitutë rumune, e moshës 26 vjeç. Në trup kishte të veshur vetëm një palë atlete dhe çorapet. Rrobat e saj janë gjetur nga policia rreth 1 km larg vendit ku ajo ka gjetur vdekjen.
Sipas policisë italiane, mendohet se vrasësi e ka lidhur vajzën e re për të pasur mundësi të abuzonte me të. Trau qw ndodhet në këtë zonë shërben për t'u kujtuar drejtuesve të automjeteve se aty përfundon rruga e asfaltuar. Dyshohet se vajza është përdhunuar më parë, dhe më pas është lënë të vdesë në atë vend. Vdekja mendohet se ka ndodhur rreth orës 24.00, të mbrëmjes së të dielës.
Hetuesit hedhin idenë se mund të bëhet fjalë edhe për një vrasës serial, pasi në të njëjtin vend, një vit më parë një tjetër prostitutë u gjet e lidhur, e përdhunuar dhe e grabitur, por fatmirësisht ishte gjallë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





