Mbrëmjen e djeshme një ngjarje e rëndë ka tronditur Graçanicën, një fshat në afërsi të Prishtinës, ku babai ka therur më thikë fëmijën e tij 40 ditësh, dhe ka tentuar të vrasë edhe binjakun tjetër.
Sipas raportimeve të gazetës “Koha”, 35-vjeçari Dejan Krstiçiq, profesor i edukatës fizike në Shkollën e Mesme të Shtërpcës, ka dhënë deklaratë para organeve hetuese për krimin që bëri.
“Dejani ka marrë thikën dhe në momentin e tensionit ka qëlluar mu në gjoks njërin nga binjakët 40 ditësh. Ai ka vdekur rrugës për në Llaple Sellë, përkatësisht Graçanicë. Pastaj ai është përpjekur të therë edhe fëmijën tjetër, por e ka penguar bashkëshortja, megjithatë ia ka dalë ta plagosë në qafë edhe tjetrin”, shkruajnë mediet serbe.
Binjaku i dytë i plagosur ka arritur gjallë në Graçanicë prej nga është transportuar në Nish dhe raportohet se edhe gjendja e tij është e rëndë, por jashtë rrezikut për jetë.
Krstiçiq është arrestuar shpejt pas krimit dhe në deklaratat para hetuesve ka thënë se ka pasur një grindje me bashkëshorten, pastaj i janë errur sytë dhe nuk i kujtohet më asgjë.
Ai me gruan, që ishte nga rrethina e Shtërpcës, theksohet se jetonin në shtëpi familjare bashkë me prindërit e tij. Ngjarja ka tronditur fqinjët dhe bashkëqytetarët. Thonë se Dejani dukej njeri i qetë dhe familjar.