Një 18-vjeçar ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur në gjendje të rëndë për shkak të një aksidenti në parkun e lojrave në Ohajo të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mediat amerikane raportojnë se u shkëput një pjesë e kabinës së lojës të quajtur “Topi i Zjarrit” (The FireBall) gjatë lëkundjes në ajër. 18-vjeçari u përplas me tokën dhe humbi jetën menjëherë. Ndërsa 7 të tjerë janë dërguar në spital për të marë shërbimin mjekësor. 2 persona raportohet se janë në gjendje të qëndrueshme ndërsa 5 prej tyre në gjendje kritike për jetën, një prej të cilëve është një fëmijë 13 vjeç, ka raportuar shefi i batalionit të zjarrit të Columbus Steve Martin.

Një video e publikuar në internet tregon momentin e tragjedisë, kur një pjesë e kabinës u shkëput dhe u përplas në tokë. Policia do të hetojë shkaqet e këtij aksidenti fatal.

“The Fireball” përbëhet nga një lavjerrës që lëviz majtas e djathtas, ndërsa njerëzit janë ulur në një platformë të rrumbullakët që rrotullohet rreth vetes në fund të lavjerrësit.