Tetë persona, mes tyre gjashtë fëmijë, janë gjetur të vdekur në një banesë në Michigan të Shteteve të Bashkuara, pas një zjarri që përfshiu shtëpinë e tyre.
Ngjarja ndodhi në Grand Haven Township, në bregun lindor të Liqenit Michigan, ku policia dhe shërbimet zjarrfikëse ndërhynë pak para mesditës pas njoftimit për zjarr në një banesë.
Pasi hynë brenda ndërtesës, autoritetet gjetën trupat e viktimave. Sipas forcave të rendit, disa prej tyre kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Kapiteni i Zyrës së Sherifit të Qarkut Otava, Jacob Sparks, tha se identifikimi i viktimave nuk ishte përfunduar ende dhe se autoritetet nuk kishin përcaktuar zyrtarisht shkakun e vdekjes.
Fëmijët e gjetur të vdekur ishin të moshave nga 5 deri në 15 vjeç. Sparks nuk bëri të ditur se sa prej viktimave kishin plagë nga të shtënat me armë zjarri, duke e cilësuar skenën si “të ndërlikuar dhe komplekse”.
Hetuesit nuk po kërkojnë persona të tjerë jashtë familjes, ndërsa një nga pistat kryesore të hetimit është ajo e një vrasjeje të ndjekur nga vetëvrasja. Sipas autoriteteve, të gjithë personat që jetonin në banesë dyshohet se kanë humbur jetën.
Zyrtarët e kanë cilësuar zjarrin si “të dyshimtë”, pasi mendohet se ai mund të jetë shkaktuar qëllimisht. Hetues të zjarrvënieve nga Policia Shtetërore e Michiganit po ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Grand Haven Township ka rreth 18 mijë banorë dhe ndodhet rreth 40 kilometra në perëndim të qytetit Grand Rapids.





