NASHVILLE (USA), 17 shkurt 2013– Miliona zogj kanë mbuluar qiellin e një qyteze të vogël në Kentaki, SHBA, duke sjellë panik mes banorëve dhe kafshëve shtëpiake.
Për pak kohë, banorëve të kësaj qyteze u është dukur vetja sikur ishin protagonistë të filmit horror “Zogjtë” të të madhit Alfred Hitchcock.
Banorët të terrorizuar kanë treguar se qielli është mbuluar për pak kohë nga zogjtë që kanë fluturuar mbi Hopkinsville. I gjithë qyteti është mbuluar me jashtëqitje të shpendëve të llojeve të ndryshme, kryesisht sorra dhe laraska, duke marrë një ngjyrë të bardhë, aspak të këndshme për banorët e tij.
Prania e tyre përbëri rrezik edhe për faktin se sëmundjet që ato mund të mbartin mund të ngordhin qentë dhe të sëmurin njerëzit.
“I pashë të vinin drejt nesh dhe ishin aq shumë saqë ne nuk mund të shihnim më diellin”,- shprehet historiani i qytezës, William Turner.
Sipas ekspertëve të shpendëve fenomeni i pazakontë është krijuar për shkak të ngrohjes globale.
(m.b./AGJENCIA E LAJMEVE "DYRRAH")