SHBA, 14 prill 2014 – Një ngjarje shokuese ka tronditur opinionin amerikan. Një nënë 39 vjeçare dyshohet se ka vrarë 7 fëmijët e saj menjëherë pas lindjes. 39 vjeçarja Megan Huntsman kishte lindur 7 herë gjatë 10 viteve të fundit dhe menjëherë pas lindjes i vriste fëmijët e saj dhe trupat e tyre i vendoste në kuti, të shpërndara nëpër shtëpinë ku jetonte bashkë me tre vajzat e tjera dhe ish-bashkëshortin.
Zbulimi tronditës është bërë nga ish-bashkëshorti i gruas, që ka gjetur një nga skeletet në një kuti në garazhin e shtëpisë ku ka jetuar bashkë me të shoqen deri 3 vite më parë.
“Shtëpia e horroreve”, siç është cilësuar nga mediet amerikane, ndodhet në Utah, SHBA. Gruaja 39 vjeçare është arrestuar dhe akuzohet për vrasje.
Fqinjët e çiftit shprehen të shokuar me atë çfarë kanë mësuar. Ata deklarojnë se në asnjë rast nuk kanë dyshuar se 39 vjeçarja ka qenë shtatzënë. Mendohet se gruaja i ka sjellë në jetë fëmijët në periudhën kohore 1996-2006.
Çifti i bashkëshortëve kishte edhe 3 vajza të tjera. Tani për tani policia është e mendimit se burri i gruas që vrau 7 fëmijët e saj nuk ka gisht në këtë çështje. Skeletet do t’i nënshtrohen ekspertizës mjeko-ligjore për të zbardhur shkaqet e vdekjes.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





