Durrës, 3 shtator 2014  –  "Nënën dhe hallën i gjeta të vdekura mbi shtretërit e tyre. këmbët e duart i kishin të lidhura me çarçafët e gjumit. Goja u është mbyllur me skoç. E kam të pamundur ta besoj këtë që ndodhi…".

I shokuar për ngjarjen makabër, Vasil Vava, djali i Elsa Vavës, që u masakrua në shtëpinë e saj në Durrës, bashkë me kunatën ka dhënë shpjegimet e para në polici. Ai ishte personi që zbuloi krimin e rëndë dhe njoftoi policinë.

Vasili u tha hetuesve se shkoi të vizitonte nënën e tij të moshuar dhe dy hallat, njëra prej të cilave është e paralizuar prej vitesh, kur zbuloi ngjarjen tronditëse. 

Ai gjeti nënën Elsa Vava dhe hallën Gjinovefa Vava të lidhura të torturuara për vdekje, me duar e këmbë të lidhura dhe gojën të mbyllur me skoç. Djali i njërës prej viktimave është shprehur se nuk ka asnjë ide se kush mund ta ketë kryer krimin e rëndë, ndërsa u ka sqaruar hetuesve se prej afro dy dekadash familja e tij kërkon të marrë pronat e patundshme që zotëron në Durrës dhe rrethina, raporton "Gazeta Shqiptare".

Dëshmia

"U ngrita nga gjumi shpejt, jo se kisha ndonjë punë, por kisha një shqetësim të brendshëm. Banesa ime nga aty ku banojnë nëna dhe dy hallat është jo më larg se 100 metra. U nisa në drejtim të shtëpisë së tyre, kur pashë që porta kryesore dhe dyert ishin të hapura. 

Nënën dhe hallën i gjeta të vdekura mbi shtretërit e tyre. këmbët e duart i kishin të lidhura me çarçafët e gjumit. Goja u është mbyllur me skoç. E kam të pamundur ta besoj këtë që ndodhi…”, thotë Vasili.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/