Tiranë, 19 shtator– Hetimet e njësisë së specializuar Task- Forcë lidhur me blerjen e ish-Hotel Dajtit nga Banka e Shqipërisë, si dhe marrjen me qira nga ky institucion të disa godinave, me çmime që mund të konsiderohen pa frikë si “të çmendura”, duket se rëndojnë pozitën e ish guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani si dhe të zinxhirit drejtues të bankës qendrore.

Prej disa ditësh, në duart e prokurorëve ka mbërritur i gjithë dokumentacioni i tenderave shumëmilionësh dhe hetuesit po bëjnë verifikimet e para, nga të cilat ka rezultuar se në rastin e marrjes me qira të dy godinave ku aktualisht funksionon aktivitetin Banka e Shqipërisë (pranë Selvisë dhe ish-selia e kompanisë Vefa) pagesat e qirasë, janë tejet të larta.

“Pagesat e qirasë, për këto dy godina që prej vitit 2008 dhe deri më tani kapin shifrën e miliona eurove. Ende nuk kemi një shifër të saktë, pasi jemi duke shqyrtuar të gjithë dokumentacionin, por na rezulton se krahasuar me çmimet e tregut, janë disa herë më të larta, çka ngre dyshime të forta për abuzime financiare që kanë rënduar bilancin e bankës”, tha një burim për “GSH”. Sipas dokumenteve që ka sekuestruar prokuroria rezulton se BSH ka lidhur një kontratë për marrjen me qira të 3900 m katrorë pranë Selvisë, me një çmim prej 135 euro për metër dhe sipas përllogaritjes shuma vjetore që është paguar për këtë godinë është shumë e “fryrë”.