Si survejohej nga policia sekrete fashiste Omer Fortuzi, njëkohësisht funksionar i lartë i qeverisë kuislinge. Raportimet e agjentëve që e ndiqnin këmba-këmbës deri në Romë. Shndërrimi i hotelit të famshëm në një qendër të rëndësishme të rezidenturave të spiunazhit nga GESTAPO te Sigurimi i Shtetit,
Një aspekt i rëndësishëm i historisë së “Hotel Vollgës” është edhe spiunllëku. Që kur hoteli ishte në themele, pronarët e firmës sipërmarrëse ndërtuese u vunë nën përgjimin e Zyrës sekrete të ministrisë së brendshme zogiste. Mbikëqyrja u realizua nëpërmjet prefektit dhe qark komandës së xhandarmërisë së Durrësit si edhe xhandarmërisë së Tiranës. Ndonëse propaganda zyrtare e Monarkisë nuk linte rast pa lavdëruar marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë së vogël dhe aleates së saj të madhe, Italisë fashiste, Zyra sekrete e Ministrisë së Brendshme kryente detyrën. Për shkak të ndikimit të ekipit të instruktorëve britanikë pranë Xhandarmërisë shqiptare (gjeneral Xhoslin Persi, Kolonel Okllai Hill etj.), kjo zyrë sekrete ishte modeluar sipas Specil Branch (dega speciale) britanik, si organ kundërzbulimi dhe zbulimi njëkohësisht.
Dyshimet
Omer Fortuzi, bashkëpronar i firmës Straccioli-Fortuzi, ndonëse ishte pasunar shqiptar pa kurrfarë aktiviteti kundra monarkisë zogiste, mbikëqyrej për lidhjet e tij me italianët në atë kohë aleatë të mirë të Shqipërisë. Fortuzi kishte shërbyer legalisht si ndërmjetës midis pronarëve shqiptarë të tokave, kryesisht bejlerë dhe Shoqërisë koncesionare italiane EIA (Ente Italiana Agricoltura- Enti Italian i bujqësisë) për marrjen e tokave të tyre në zonën e Sukthit me koncesion për 99 vjet. Në Tiranë Fortuzi dhe ortaku i tij italian mbikëqyreshin direkt nga xhandarmëria e kryeqytetit dhe rezultatet i raportoheshin z.Harito, nëpunës i zyrës sekrete, ndërsa në Durrës mbikëqyrja kryhej nga xhandarmëria dhe i raportohej Prefektit të Durrësit, Mark Kodheli, si edhe direkt në Tiranë. Interesant është fakti, që prefekti Kodheli, për shkak të bashkëshortes së tij italiane, mbikëqyrej gjithashtu. Zyra sekrete zogiste kishte pasur të drejtë, sepse Prefekti Kodheli së bashku me të shoqen, në 5 prill 1939, u imbarkua në një anije italiane dhe iku në Itali. Atje nga Radio Bari u bëri thirrje shqiptarëve t’i prisnin ushtarët e Duçes me lule, si shpëtimtarë. Arratisja e prefektit është e dokumentuar në relacionin e Kapiten Gjelucit të Kapitanerisë së portit Durrës për Komandën e fuqive armate në Tiranë në vëmendje të Kolonel Ghilardit.
Mbikëqyrja
Ndonëse Omer Fortuzi konsiderohej si shqiptar luajal ndaj regjimit fashist, ndonëse ishte anëtar i Partisë Fashiste Shqiptare dhe madje mik personal i Jakomonit, Mëkëmbësit të Mbretit, përsëri mbahej nën mbikëqyrje dhe survejim, si nga policia e shtetit (raportimi bëhej te kuestorët përkatës) edhe nga SIM (shërbimi ushtarak i zbulimit), nga doganat italiane si edhe nga Karabinieria mbretërore. Regjimi fashist i kishte besuar Omer Fortuzit postin e rëndësishëm, veçanërisht në kohë lufte, atë të Komisarit të lartë të transporteve, konsumit dhe nozullimeve-furnizimeve (Alto comissario per gli approvvigionamenti e consumi e transporti), megjithatë survejimi mbetej survejim. Ky është tipar i çdo diktature, ku cilido përveç Diktatorit është sa përgjues edhe i përgjuar. Survejimi ndaj Fortuzit u rrit akoma më shumë, kur miku i tij Françesko Jakomoni u zëvendësua si Mëkëmbës Mbretëror nga Gjeneral Renco Dalmaco (Renzo Dalmazzo).
Vizita në Romë
Kuislingu Fortuzi që në 10 maj të 1943-shit ishte mbajtur nën survejim gjatë vizitës së tij në Romë, sepse dyshohej se bënte lojë të dyfishtë dhe të trefishtë. Hafijet italiane kishin arritur të dokumentonin një takim të Fortuzit me Mehdi Frashërin ish-Kryeministrin e Mbretit Zog, që mbahej i internuar në Romë. Në dokumentet italiane theksohen edhe hollësi të tilla si numri dhe shpërblimi special i agjentëve të kuesturës, që mbajtën nën mbikëqyrje Fortuzin gjatë vizitës së tij në Romë, rrezikshmëria e lartë e Fortuzit si edhe dinakëria dhe inteligjenca e theksuar e tij. Paranoja e Mëkëmbësittë Mbretit, Gjeneral Parianit, është maksimale, saqë kërkon nga policia të mbikëqyrë Fortuzin se mos takojë në Romë funksionarë të lartë italianë si Gjeneralin Manlio Gabrieli, ish-atashe ushtarak i Ambasadës italiane në Shqipëri deri në 7 prill 1939, ish-Mëkëmbësin Mbretëror Françesko Jakomoni, ish Konsullin e përgjithshëm Xhuzepe Anxhelis (Giuseppe Angellis) me gradën kapiten i karabinierisë mbretërore (interesante: Policia mbikëqyr oficerët e karabinierisë. Atmosferë tipike paranojake normale për çdo diktaturë!) Nga dokumentet sekrete italiane vërehet se si Fortuzi mbikëqyrej, kur kalonte në doganat italiane në Aeroportin e Romës apo në portet e Brindizit e Barit.
Spiunimet
Kryepolici italian, Agostini, në 14 qershor 1943 i bën një biografi të saktë Omer Fotuzit, ku lavdëron, ndershmërinë, zellin në punë, inteligjencën, jetën e përkorë pa vese, por shpreh edhe mosbesimin normal, që kishin italianët për çdo shqiptar qoftë edhe kuisling. Funksionari i policisë italiane Ciccio në të njëjtën datë thekson sherret e Fortuzit me funksionarë të lartë fashistë si Paskuale Luxhini (Pasquale Luigini) Inspektor i përgjithshëm i Partisë Fashiste Shqiptare apo Korradino Berard,i Këshilltar i përgjithshëm pranë Këshillit të ministrave. Po në 14 qershor 1943, Kryekomisari i policisë Arturo Musko (Arturo Musco) në Romë i raporton Dr. Aldo Barletës, Inspektorit të përgjithshëm të policisë së shtetit se telefoni i shtëpisë numër 850-995 të Komendatorit Fortuzi në Rromë si edhe korrespondenca e tij janë vënë me kohë nën përgjim nga policia romane. Omer Fotuzi përgjohet kudo: në stacioni hekurudhor të Romës, në atë të Brindizit, në Restorantin Fiamma (Flaka), në Aeroportin e Brindizit, në zonën e kontrollit doganor e deri sa hipën në avion. Raportohet shoqëruesja e tij dhe italishtja e saj me aksent grek. Raportohet shoqëria e Fortuzit me një mikun e vet italian, major karabinierie me forcat e okupacionit në Athinë e deri sherri i Fortuzit me doganierët në Aeroportin e Brindizit, për peshën e bagazhit. Përgjimi më pas zhvendoset në Aeroportin e Tiranës nga agjenti i Policisë shtetërore italiane Rafaele i cili thekson se bagazhi i Fortuzit u morr në dorëzim nga z. Minolla nëpunës i Mëkëmbësisë Mbretërore. Spiunimi i Fortuzit vazhdon deri në 18 korrik 1943, fiks një javë para përmbysjes së fashizmit. Në këtë spiunllëk të fundit i bëhet një biografi “sterrë e zezë” Fortuzit, ndonëse ky i fundit vazhdonte të ishte funksionar i lartë kuisling në shërbim të pushtuesve italianë.
Të gjithë spiunojnë të gjithë
Fatin e Fortuzit pati edhe vetë ndërtesa e “Hotel Vollgës”. Në korrespondencën e kohës me siglat: rezervate dhe sekrete, Komanda e lartë e Marinës luftarake italiane padit Ministrinë shqiptare të Kulturës Popullore. Ministria shqiptare e Kulturës Popullore dhe Enti i turizmit padisin në Mëkëmbësinë Mbretërore (Luogotenenza) Supermarina-n (Komandën e lartë të Marinës luftarake) dhe Nënsekretarin e shtetit për luftën. SIM-i (Shërbimi informative i ushtrisë italiane) padit civilët. Këta të fundit me anë të OVRA-s (Zbulimi politik fashist), padisin ushtarakët italianë, ndërsa Policia e Shtetit (italiane) përgjon me hafije hap pas hapi oficerë të karabinierisë mbretërore me grada kapiteni apo majori. Policia po ashtu mban nën mbikëqyrje ish-diplomatë dhe hierarkë fashistë, madje edhe me grada të larta si gjeneral, konsull etj. Shkurt atmosfera fashiste e vitit 1943 është shumë e ngjashme me atmosferën komuniste të vitit 1983. Të gjithë spiunojnë të gjithë.
Hotel “Vollga”
Kur “ Hoteli i dogjëve” (Hotel Vollga) u shndërrua në vend qëndrim të trupave gjermane, spiunllëku vazhdoi. ABVER-i shërbimi i zbulimit i ushtrisë gjermane mbledh informacion për ish aleatët italianë dhe për rezistencën antifashiste shqiptare. GESTAPO (Policia e fshehtë naziste) së bashku me SD-në (Shërbimin e sigurimit) po nga ambientet e hotelit spiunonin elementë të vetë ushtrisë gjermane për qëndrime antinaziste apo qoftë edhe disfatiste.
Në 1945 SIMP-i, shërbimi i zbulimit komunist i sapo krijuar nën drejtimin e kolonelit jugosllav Safet Filipoviç spiunon ushtarakët dhe civilët e misioneve angleze, amerikane dhe franceze si dhe shtetasit shqiptarë, që kishin edhe kontaktin më të vogël me këto misione, pa harruar spiunimin e popullatës së Durrësit apo edhe të vetë trupave partizane të vendosura në Portin e Durrësit.
Sigurimi i Shtetit
Gjatë viteve të socializmit “Hotel Vollga” mbeti një nga bastionet e Sigurimit të Shtetit. Nga ky hotel organizohej puna agjenturore për survejimin e klientëve të hotelit, barit, restorantit si edhe të pistës verore. Kujdes i veçantë bëhej për mbikëqyrjen e të huajve, marinarë e diplomatë si edhe kontrabandistët e cigareve të kalatës zero, por edhe shqiptarëve, sepse “Vollga”, ndryshe nga “Hotel Adriatku” apo “Hotel Apollonia”, lejohej të frekuentohej edhe nga shtetasit shqiptarë. Ndër shqiptarët më nën vëzhgim ishin elementët me kleçka në biografi, elementët e dyshuar për kontrabandë, por edhe vetë personeli i hotelit. Shpesh ambientet e hotelit shërbenin edhe si vend takimi të operativëve të Sigurimit me agjentët apo rezidentët e vet. Disa prej politikanëve të lartë të të gjitha krahëve të politikës, aktivë apo në pension kanë pasur një përvojë të tillë në dhomat e Hotel “Vollgës”
Krahas spiunimit nëpërmjet agjentëve dhe rezidentëve në Hotel “Vollga” ishin instaluar edhe aparatura të sofistikuara për përgjime, e ashtuquajtura T.O.- Teknika operative. Në të përfshiheshin “çimkat”-përgjuesit elektronikë të prodhimit kinez dhe në fund të viteve 80-të edhe të markës së mirënjohur franceze “Sagem” të blera nga Ndërmarrja e Teknikoimportit, regjistrues (diktofonë) me bobinë, kasetë me shirit magnetik e mikro-kasetë, si edhe dylbi, aparate fotografike e kamera me teleobjektiv relativisht modern për kohën.
Sinjikativ është fakti, që spiunllëku i fundit i bërë nga ambientet e Hotel “Vollgës” është filmimi i shkuljes së Bustit të Enver Hoxhës në 20 shkurt 1991 në hyrjen numër një të Portit të Durrësit. Ky filmim ndër të tjera u bë shkak për përndjekjen gjyqësore të disa prej pjesëmarrësve të protestës antikomuniste. Përmendim këtu të internuarin Gëzim Mamaqi, që publikisht e pshurri bustin e diktatorit në 20 shkurt 1991, duke u duartrokitur nga durrsakët antikomunistë.