I ndërtuar në zemër të zonës kodrinore të periferisë së Durrësit, mbi një peizazh ku dora e njeriut nuk ka bërë ende dëme, ai sapo ka hapur dyert në këtë prag ndërrimi vitesh.
Orion Palace Boutique Hotel është struktura më e re hoteliere, që i shtohet qytetit të Durrësit.

Emri i tij të sjell ndërmend konstelacionin e shndritshëm qiellor, ndërsa arkitektura e tij dhe arredimi i të gjitha ambienteve është një ndërthurje mes elegancës, stilit modern dhe komfortit.
“Dhomat janë të ndryshme për nga mobilimi dhe dekorimi i tyre. ne këtu ofrojmë 17 dhoma, secila prej tyre ka karakteristikat e saj. Më së shumti jemi të fokusuar tek çiftet, por ofrojmë dhe mundësi për familje, pasi dhomat janë dyshe, treshe dhe familjare”,– thotë për “DurrësLajm”, administratori i hotelit, Spiro Paço.


Në restorantin luksoz, dekori festiv krijon një simbiozë perfekte me elementët e arredimit, ndërsa taraca me panoramën natyrore që ofron është vendi perfekt për një “arratisje” disa orëshe nga stresi i qytetit. E për t’i shijuar këto, jo domosdoshmërisht duhet të jesh klient i hotelit.
“Restoranti është a la carta dhe në menu kemi ushqimin tradicional shqiptar, por edhe ushqimin modern, evropian e perëndimor. Tek rooftop (taraca) kemi pasur disa prenotime për festa familjare, kryesisht ditëlindje. Aty ambienti është i vogël, por i mjaftueshëm për një grup miqsh. Hoteli është i vizitueshëm nga kushdo, qoftë për të konsumuar një kafe, drekë apo një shërbim në SPA”,- na thotë administratori Paço.


E nëse gjatë fundjavës apo një dite pushimi dëshironi të përfitoni një relaks total, ambientet e SPA-së janë një magji më vete për mirëqënien tuaj trupore.


Për të gjithë klientët e hotelit, qëndrimi në të nuk përkthehet vetëm në disa ditë të kaluara mes peizazhit natyror të kodrave të Shkallnurit të mbjella me ullinj e rrush, por edhe një eksperiencë unike për të njohur në vetë të parë gjithë potencialin gastronomik të zonës.

“Zona është e famshme që nga antikiteti për prodhimin e rrushit dhe verës. Gjithashtu bashkëpunojmë ngushtë me të gjithë bizneset lokale. përdorim të gjitha burimet e zonës, si për ushqimin, ashtu edhe për verën. Gjithashtu do të ofrojmë ture për turistët e huaj si vizitë në kantinë, degustim vaji apo vere. Këto janë disa gjëra që për ne janë të reja, por për turistët perëndimorë janë shumë të kërkuara”,– thotë administatori Spiro Paço.
Orion Palace Boutique Hotel, aty ku natyra dhe eleganca kombinohen për t’ju ofruar një akomodim me 5 yje.
M.B.





