“Kemi dërguar një kërkesë në Ministrinë e Financave, ende nuk na është kthyer përgjigje, çfarë e si do të aplikohet taksa e fjetjes në hotele për sezonin e ri turistik. Zona e plazhit të Durrësit, dhe më andej Shkëmbi i Kavajës dhe Golemi, nuk janë më nën administrimin e Rrashbullit dhe Golemit, por i përkasin Durrësit e Kavajës. Nuk e dimë çfarë po ndodh, si do të veprohet nga pronarët e njësive vendore. Sa do te jetë fati i këtyre zonave turistike nën juridiksionin e Durrësit dhe të Kavajës”. Këtë shqetësim ngre nënkryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit Ervin Bytyci në një intervistë për “DurrësLajm”.

Aktualisht hotelierët paguajnë 5% të çmimit të taksës së fjetjes. Por drafti i Ministrisë së Financave, ka sjellë konfuzion dhe pritet të ketë ndikim të padiskutueshëm te çmimet në hotele, nënvizon Bytyci. “Drafti parashikon një taksë fikse prej 350 lekësh për dhomë në natë, por njëkohësisht kërkohet dhe kategorizimi i hoteleve në bazë të yjeve, i përshkallëzuar në nivele sipas njësive vendore. Askush nuk di të thotë me saktësi, por aktualisht ky është një shpenzim i ri, dhe mbetet për t’u parë si do të reflektojë në nivelimin e çmimeve që do të aplikohen”.

“Taksa e fjetjes do të ketë impakt të madh, sepse ndodhemi në një pikë ku operatorët turistikë kanë lidhur kontratat, kanë publikuar paketat turistike. Aktualisht kemi dërguar një kërkesë te Ministria e Financave, dhe nuk kemi marrë përgjigje”.

K.H.