Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur nga Uashingtoni para takimit të shumëpritur me delegacionin e Serbisë. Në një intervistë në Klan Kosova, Hoti shprehet se me Serbinë do takohet vetëm për njohje reciproke.

Kreu i qeverisë së Kosovës tha se njohja reciproke është formula e vetme për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Me Serbinë ne takohemi vetëm për njohje reciproke, nuk takohemi për gjëra të tjera. Me këshillën e miqve tanë ndërkombëtarë, në këtë rast SHBA-ve, po ulemi për të dakorduar një agjendë të bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve dhe përtej dy vendeve, por gjithçka është në funksion të normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve që nënkupton njohje reciproke.

Nuk ka formulë tjetër. Këtë e kemi bërë të qartë që nga dita e parë në qeverisje, në Samitin e Parisit, si edhe në komunikimin që e kemi pasë me qendrat kryesore në BE, por edhe në SHBA, sepse njohja reciproke është zgjidhja e vetme për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Unë besoj që tani këtë lloj qasje e kanë të qartë plotësisht edhe miqtë tanë ndërkombëtarë”, u shpreh Hoti.