Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, kanë zhvilluar sot një vizitë në spitalin Infektiv dhe kanë parë nga afër punën e mjekëve.

Pas vizitës në spital, Hoti foli për mediat duke thënë se vendi tani është praktikisht në një situatë lufte.

“Sot u informuam për aktivitetet që po ndërmerren në përballje me këtë situatë. Kjo është situatë praktikisht e luftës duke u përballë çdo ditë me një rrezik të madh. Shfrytëzoj rastin me gjithë nevojën që kemi për të rritë efikasitetin në punë, për të përmirësuar shërbimin nevojën që kemi për të pasur furnizim me barna”, ka thënë Hoti.

Më tej ai uroi sfatin mjekësor për punën që po bëjnë, duke thënë se numri i personave që kanë humbur jetën është më i ulët nëse krahasohet me rajonin.

“I përgëzoj stafin për punën, dedikimin që kanë pas por tash në përballje me valën e dytë duhet të rrisim nivelin e angazhimit”, shtoi kryeministri.